Futboll

Futbollistët e Kosovës ushtrojnë me kampionin e botës në boks

Oleksandr Usyk

Kampioni i kategorisë së rëndë në boksin profesionist, Oleksandr Usyk, ka zhvilluar të hënën një stërvitje me skuadrën ukrainase të futbollit, Polissya Zhytomyr. 

Pjesë e kësaj skuadre janë dy futbollistët e Kosovës, mesfushori Lindon Emërllahu dhe mbrojtësi Ilir Krasniqi.

Polissya po përgatitet në Spanjë për pjesën e dytë të kampionatit, ndërsa Usyk e ka vizituar ekipin të hënën. Ai kishte bashkëbisedim me lojtarët dhe drejtuesit e klubit e më pas doli edhe në fushë dhe mbajti stërvitje.

Ishte stërvitja e parë e Usykut për këtë vit, ndonëse jo në sportin e tij. Madje futbollistët i kanë bërë një “tunel”, në të cilin tradicionalisht kalojnë lojtarët e rinj të skuadrës në stërvitjen e parë.
Usyk është yll i boksit profesionist dhe kampion në shumicën e versioneve të mëdha në kategorinë e rëndë. 39-vjeçari ka fituar 24 luftërat e deritashme në boksin profesionist. 15 prej fitoreve i ka me nokaut. U bë yll global me dy fitoret ndaj Anthony Joshuas dhe dy të tjerat ndaj Tyson Furyt. Usyk ishte dy herë kampion absolut në kategorinë e rëndë dhe një herë në kategorinë kruzer. 

Usyk ka folur për futbollistët për miqësinë që ka me Cristiano Ronaldon. Po ashtu foli për parimet që kanë rëndësi për karrierë në sport, për synimet e mëdha që duhet t’i ketë secili sportist.

“Si çdo ukrainas, unë nuk ëndërroj. Dua që lufta në vendin tonë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është një ‘horror’ që po ndodhë në shtëpinë tonë tani. Njerëzit po mërdhijnë dhe kjo duhet të përfundojë. Nuk kam ëndrra të tjera”, ka thënë Usyk.

Dy futbollistët kosovarë janë ndier mirë që kishin rastin të ushtronin me njërin prej sportistëve më të mirë në botë.

“Ishte ndjenjë e mirë duke marrë parasysh se fliste një kampion bote. Ai ndau disa histori personale për ne dhe pastaj na ka përshëndetur të gjithëve”, ka thënë Emërllahu për KOHËN.

“Erdhi në klub dhe zhvilloi një stërvitje me ne. Ai është shok me presidentin e klubit dhe është i lidhur shumë me klubin tonë. E ka mbajtur një fjalim motivues për ne lojtarët dhe na ka treguar tregime të veta”, ka thënë Krasniqi.

Polissya është në garë për titull të kampionit në Ukrainë. Usyku ka uruar që ky klub të shpallet më i miri.