Trajneri i Polissya Zhytomyr, Ruslan Rotan, ka dhënë një intervistë të gjatë për kanalin e klubit elitar të Ukrainës.
Në mesin e shumë përgjigjeve, ish-futbollisti i Ukrainës ka folur edhe për dy futbollistët e Kosovës, Ilir Krasniqin dhe Lindon Emërllahun.
44-vjeçari ka thënë se është i impresionuar me dy lojtarët e Kosovës.
Mesfushori Emërllahu u prezantua në dhjetor te klubi ukrainas. Ai u transferua nga Cluji rumun. Emërllahu ka firmosur për tre vjet kontratë.
Pas Emërllahut, në klubin që është në garë për titull të kampionit në Ukrainë, u transferua edhe mbrojtësi Krasniqi.
Ai kaloi nga Kolos Kovalivka e Ukrainës. Me skuadrën e Polissyas ka nënshkruar kontratë për tre vjet e gjysmë.
“E kemi ndjekur Ilir Krasniqin për gati gjysmë viti. I dimë shumë mirë aftësitë e tij, besoj se ky lojtar është inteligjent në fushën e futbollit. Ai tashmë ka bërë një hap të madh për të qenë në ekipin tonë në rol kyç. Para së gjithash, mënyra se si sillet në ekip - ai ka cilësi lidershipi dhe inteligjencë. Kjo sugjeron se ai ka një shans shumë të mirë për të luajtur për ne. Lindon Emërllahu është lëvizje e bërë nga departamenti i përzgjedhjes. Jemi të impresionuar me Lyndonin, gjithçka përkon me raportet e skautëve. Gjëja më e rëndësishme është se kemi këta profesionistë në ekip që garojnë, punojnë 100 %, që dëgjojnë dhe që janë thjesht njerëz të shkëlqyer dhe pozitivë. I vlerësojmë shumë edhe vlerat e njeriut”, ka thënë Rotan.
Rotan është trajner i Polissyas nga viti 2025.
Ai ka pasur karrierë të madhe si lojtar. Ka luajtur për Dinamo Kievin. Ai për Ukrainën ka luajtur 100 ndeshje, ndërsa kishte shënuar tetë gola.
Në vitin 2023 ishte emëruar trajner i përkohshëm i Ukrainës. Ai e udhëhoqi ekipin e Ukrainës në Olimpiadën e vitit 2024 në Paris.
Ai ka besim se me Ilirin, Lindonin dhe lojtarët e tjerë mund ta fitojnë titullin e kampionit.
Polissya është në vendin e tretë me 30 pikë. Ka pesë pikë më pak se LNZ Cherkasy i Muharrem Jasharit, Ajdi Dajkos.
Në Ukrainë luajnë edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë.