Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Sportet luftarake, “arena” ku Kosova është e madhe

Donjeta Sadiku dhe Islam Selmani (Foto: Shpend Ahmeti/KOK)

Donjeta Sadiku dhe Islam Selmani (Foto: Shpend Ahmeti/KOK)

Lojërat Mesdhetare, që përfundojnë të enjten, kanë dhënë një pasqyrë për nivelin e sportit kosovar. Dhe kanë konfirmuar një gjë, ndër të tjera - që Kosova është dukshëm më e suksesshme në sportet luftarake se në sportet tjera.

Nëse për bazë merret numri i sportistëve pjesëmarrës dhe numri i medaljeve të fituara, Kosova është prej vendeve më të suksesshme të Lojërave Mesdhetare sa u takon katër sporteve kryesore luftarake: xhudos, boksit, karatesë e mundjes. Sipas disa krahasimeve, madje del më e suksesshmja.

Në xhudo, Kosova mori pjesë me shtatë garues. I fitoi plot pesë medalje. Laura Fazliu fitoi medalje të argjendtë, ndërsa të bronzta fituan Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Flaka Loxha e Fatjona Kasapi.

Në boks, Kosova mori pjesë me pesë garues. Donjeta Sadiku fitoi medalje të artë. Në karate ishin nëntë garues të Kosovës, ndërsa Islam Selmani fitoi medalje të artë. Përqindja bie pak në mungesë të medaljes në mundje, ku Kosova i kishte tre pjesëmarrës.

Në të gjitha ngjarjet shumësportëshe të deritashme, Kosova suksesin më të madh e ka në sportet luftarake. Natyrisht, xhudoja është e pakrahasueshme. Por edhe në boks, sidomos me Donjeta Sadikun, dhe në karate, Kosova ka pasur suksese dukshëm më të mëdha se në disiplinat tjera sportive. Në karate janë shumë garues me nivel, që kanë fituar medalje në ngjarje të rëndësishme. Islam Selmani po dallohet në vjetët e fundit.

Por pse Kosova dallohet në sporte luftarake, përkatësisht në xhudo, boks e karate. KOHA ka folur të mërkurën me tre trajnerët, sportistët e të cilëve sollën medalje nga “Taranto 2026”, Driton Kukën e xhudos, Marjola Sallaukën e boksit dhe Isak Currin e karatesë.

Kryemjeshtri Kuka tregon “sekretin”

Pesë medaljet në Taranto nuk janë diçka e re për xhudon kosovare. Nxënësit e kryemjeshtrit Driton Kuka i kanë pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta. Janë medaljet më të vlefshme në sport. Kanë fituar dhjetëra medalje edhe në Kampionate Botërore, Kampionate Evropiane, Lojëra Mesdhetare dhe në çdo garë tjetër të mundshme.

Në xhudo u fituan pesë medalje, ndonëse Distria Krasniqi mungoi për shkak të një lëndimi. Distria është bindshëm sportistja më e mirë në vend.

“Në sporte luftarake ndoshta temperamenti dhe gjenetika janë elemente që na favorizojnë. Por mendoj që edhe puna serioze dhe përkushtimi në sporte individuale po sjellë suksese”, ka thënë kryemjeshtri Kuka për KOHËN.

Në sportet e shpejtësisë, si noti e atletika, por edhe në sportet e tjera, Kosova ka ngecur goxha. Kjo u konfirmua në Taranto, ku konkurrenca megjithatë nuk ishte më e forta në të gjitha disiplinat.

“Nëse flasim për Taranto, atëherë e kuptojmë se nuk ka asgjë të re. Kanë medalje në boks e karate emra që edhe në të kaluarën kishin medalje. Do të thotë bëhet fjalë për sportistë me nivel. Në xhudo mungesa e Distria Krasniqit solli pak pasiguri në ekip. Por në fund kemi emra të rinj me medalje në këtë nivel, Fatjona Kasapin e Shpati Zekajn. Lojërat Mesdhetare janë garë e mirë, për nga niveli, mesatarisht e fortë”, ka shtuar Kuka.

Ai thekson se në sportet luftarake investimet janë më të vogla. Luan rol edhe tradita, sidomos në boks, ku Kosova ka të kaluar të lavdishme.

Sa i takon karatesë, ka masovitet, e po ashtu sistem pune që po tregohet i suksesshëm.

Sallauka: Kombinim i duhur i traditës e punës

Marjola Sallauka është trajnere e boksieres Donjeta Sadiku. Ajo tashmë ka medalje në Kampionat Botëror, Kampionat Evropian dhe në Lojëra Mesdhetare. I mungon medalja olimpike.
Donjeta po e mbron nderin e boksit, në kohën kur boksierët po kanë telashe për të kaluar nivelin inferior. 

Sukseset e Donjetës vlerësohen më së shumti meritë e punës së saj me trajneren Sallauka.

“Suksesi i sportistëve tanë në Lojërat Mesdhetare më bën të ndihem jashtëzakonisht krenare. Është krenari jo vetëm për të gjithë ata që arritën të sigurojnë medalje, por edhe për sportistët që iu afruan podiumit, por për fat të keq nuk arritën ta sigurojnë medaljen”, ka thënë Sallauka.

Ajo pranon se sportet luftaraka veçohen për sukses e nivel.

“Ne, si popull, historikisht kemi pasur suksese në këto sporte dhe besoj se kjo traditë sportive mund të ketë ndikuar në rezultatet që po i shohim edhe sot. Natyrisht, me kalimin e kohës metodologjia e punës ka ndryshuar shumë dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe ne t’i përcjellim këto ndryshime, t’i aplikojmë metodat bashkëkohore të përgatitjes dhe të vazhdojmë të zhvillohemi. Besoj se kombinimi i traditës, talentit dhe metodologjisë moderne të punës mund të jetë një nga faktorët që po sjell këto rezultate”, thotë trajnerja e suksesshme e boksit.

Si zakonisht, Marjola Sallauka e merr model suksesin e xhudos kosovare.

“Megjithatë, duhet ta shohim këtë sukses edhe si një mundësi për të reflektuar. Pesë nga medaljet e Kosovës në këto Lojëra Mesdhetare kanë ardhur nga xhudoja. Kjo tregon qartë se në sportet e tjera kemi ende shumë punë për të bërë. Sportistët tanë kanë potencial, por për ta shndërruar atë potencial në rezultate ndërkombëtare nevojitet mbështetje edhe më e madhe. Mendoj se duhet t’u krijohen sportistëve më shumë mundësi për përgatitje, veçanërisht përmes kampeve ndërkombëtare, pjesëmarrjes në turne të nivelit të lartë dhe përballjeve të vazhdueshme me sportistë të elitës botërore. Këto janë investime që ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të sportistëve dhe në përvojën e tyre ndërkombëtare”, ka shtuar Sallauka.

Donjeta, me gjithë nivelin superior, jo gjithnjë e ka përkrahjen që në kampin e saj vlerësojnë se duhet ta ketë. Por sukseset nuk po i mungojnë. Në Taranto i shënoi tri fitore për të artën që solli momente krenarie e gëzimi në vend.

Curri: Mentaliteti i duhur

Islam Selmani fitoi të artën në karate, duke mposhtur disa prej garuesve më të mirë në botë. Por edhe karateistët e tjerë kishin paraqitje të denjë, ndonëse nuk fituan medalje. 

Zonës së medaljeve i janë afruar edhe karateistë nga Kosova që garojnë për Shqipërinë. Përplasjet e brendshme në komunitetin e karatesë kanë frenuar jo pak këtë sport në të kaluarën në Kosovë. Por sukseset nuk kanë munguar asnjëherë. Dhe janë bërë më të mëdha pasi u kaluan ndarjet.

Isak Curri është trajneri që punon me Islam Selmanin, që është në rrugë të mirë për të arritur sukseset më të mëdha në sportin e dashur në Kosovë.

“Mendoj se suksesi i sporteve luftarake lidhet shumë me mentalitetin shqiptar dhe ballkanik. Kemi mentalitet fituesi, bindje të fortë që mund ta mposhtim kundërshtarin dhe të arrijmë qëllimin, edhe kur nuk kemi kushtet apo përgatitjen profesionale që kanë vendet e tjera”, ka thënë Curri për KOHËN.

“Kjo është përparësia jonë. Jo gjithmonë kushtet, por mentaliteti, ambicia, këmbëngulja dhe besimi në fitore. Sidomos në sportet luftarake, ky mentalitet shpesh bënë diferencën”, ka shtuar trajneri i Kosovës në karate.

Mundja ka mbetur më prapa, sa u takon sukseseve në nivelin e të rriturve, njëjtë si taekwondo. Te të rinjtë edhe në këto sporte ka suksese më të mëdha se në sportet e tjera, jo luftarake. 

“Taranto 2026” kanë dëshmuar sërish që arena e sporteve luftarake është ajo ku Kosova është më e madhja.