Një studim i publikuar në revistën Pediatrics ka zbuluar se foshnjat që konsumojnë produkte me kikirikë kanë 43 për qind më pak gjasa të zhvillojnë alergji ndaj tyre në krahasim me fëmijët që nuk i kanë provuar më herët.
Ky studim i ri përforcon idenë se futja e hershme në dietë e ushqimeve që mund të krijojnë alergji si kikiriku, rreth moshës 4 deri në 6 muaj, në varësi të zhvillimit të foshnjës, mund të zvogëlojë rrezikun e alergjive në të ardhmen.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se çdo fëmijë është i ndryshëm, dhe vendimi për futjen e alergjenëve duhet të merret gjithmonë në konsultim me pediatrin
Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të rreth 120 mijë fëmijëve nën moshën 3 vjeç, duke krahasuar periudhat para dhe pas ndryshimit të udhëzimeve për futjen e kikirikut në dietën e foshnjave, ka shkruar The Washington Post.
Ky zbulim vjen gati 10 vjet pas studimit “Learning Early About Peanut Allergy” (2015), i cili tregoi se futja e kikirikut në dietë që në muajin e katërt të jetës mund të ulë ndjeshëm rrezikun e alergjisë.
“Kjo përpjekje e madhe shëndetësore publike për alergjitë ushqimore po jep rezultate. Për çdo 300 fëmijë me alergji ushqimore, të paktën një po shpëtohet nga zhvillimi i alergjisë ndaj kikirikut”, ka thënë doktori David Hill, alergolog në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia dhe autor kryesor i studimit.
Kur dhe si duhet t’i japim kikirikë fëmijëve?
Sipas Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID), prindërit duhet të fillojnë me sasi shumë të vogla të ushqimeve që përmbajnë kikirikë, të holluara ose të përziera me ushqime që foshnja i konsumon tashmë.
Shembuj të zakonshëm janë:
-gjalpë kikiriku i holluar me qumësht gjiri ose formulë;
-pure e përzier me pak gjalpë kikiriku;
-“snack” (drithë misri me kikirik).
Pas dhënies së porcionit të parë, pritni 10 minuta dhe vëzhgoni për ndonjë reagim alergjik.
Pediatrit këshillojnë që foshnjat të jenë mjaftueshëm të zhvilluara për të provuar ushqime të reja, pra, të mbajnë kokën drejt dhe të kenë kontroll të mirë të gojës.
“Nëse foshnja është gati nga ana zhvillimore, atëherë është koha për të filluar futjen e ushqimeve që mund të shkaktojnë alergji si kikirikët”, ka shpjeguar doktori Zachary Rubin, alergolog pediatrik nga Çikago.
Fëmijët që kanë ekzemë janë më të rrezikuar për alergji, ndaj në këto raste futja e hershme e kikirikut në dietë duhet të bëhet nën mbikëqyrjen e mjekut.
“E them gjithmonë për familjet: sistemi imunitar është si plastelinë në fillim, mund të formohet. Më vonë ‘forcohet’ dhe nuk ndryshon lehtë. Prandaj, nëse ndërhyjmë herët, mund të parandalojmë zhvillimin e alergjisë, edhe pse jo 100 për qind”, ka shtuar Rubin.
Si ta njohim një reagim alergjik?
Shumica e foshnjave nuk reagojnë herën e parë që provojnë kikirikë apo ushqime të tjera që mund të shkaktojnë alergji.
Por nëse ndodh, simptomat e lehta mund të përfshijnë:
-skuqje ose njolla në lëkurë,
-të vjella ose shqetësim,
-dhimbje të lehtë stomaku.
Reagimet e rënda, megjithëse të rralla, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Thirrni urgjencën nëse fëmija:
-ka vështirësi në frymëmarrje,
-ka kollitje të fortë që nuk ndalon,
-ka ënjtje të gjuhës,
-ose bëhet i zbehtë apo kur lëkura merr ngjyrë në të kaltër.
“Nëse ndiheni të frikësuar dhe mendoni se nuk mund ta menaxhoni vetë, mos hezitoni të telefononi për ndihmë”, ka theksuar doktoresha Sara Anvari nga Spitali i fëmijëve në Teksas.
Për simptomat e lehta, mjeku mund të rekomandojë ilaçe për të lehtësuar kruarjen apo skuqjen.
Por, nëse shfaqen shenja nga më shumë se një pjesë e trupit (për shembull, lëkura dhe frymëmarrja), duhet të përdoret epinefrinë (nëse është e disponueshme) dhe të kërkohet ndihmë urgjente.