Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ndryshimi i rekomandimeve për ushqyerjen e foshnjave, ul rastet me alergji ndaj vezëve te fëmijët

Vezët

Vezët

Një studim i ri ka zbuluar se alergjia ndaj vezëve te fëmijët është ulur ndjeshëm pasi ekspertët ndryshuan rekomandimet për ushqyerjen e foshnjave, duke këshilluar që vezët të futen në dietë rreth moshës gjashtë muajshe, ka raportuar CNN.

Dikur prindërit këshilloheshin të shmangnin ushqimet që shkaktojnë alergji, si vezët, sidomos nëse në familje kishte histori alergjish. Megjithatë, studimi i publikuar në revistën shkencore JAMA Pediatrics tregon se kjo qasje ka ndryshuar dhe rezultatet janë inkurajuese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studiuesit analizuan më shumë se 7,000 foshnja në Australi dhe zbuluan se rastet e alergjisë ndaj vezëve ranë me 17.7 për qind, pasi rekomandimet e reja nisën të zbatoheshin gjerësisht.

“Rezultatet tregojnë se ndryshimet në udhëzimet ushqimore, kur bazohen në prova të forta shkencore dhe zbatohen gjerësisht, mund të çojnë në ulje të ndjeshme të alergjive ushqimore”, ka thënë autorja kryesore e studimit, doktoresha Jennifer Koplin nga Universiteti i Queensland.

Sipas të dhënave, përqindja e foshnjave që provuan vezën deri në moshën gjashtë muajshe u rrit nga 25 për qind në periudhën 2007-2011 në 57 për qind në vitet 2018-2019.

Në të njëjtën kohë, alergjia ndaj vezëve ra nga 9.2 për qind në 7.6 për qind. Ulja ishte edhe më e madhe te foshnjat që kishin ekzemë (apo probleme me lëkurën) në muajt e parë të jetës, një grup që konsiderohet me rrezik më të lartë për alergji ushqimore. Në këtë grup, alergjia ndaj vezëve ra nga 34.6 për qind në 21.9 për qind.

Ekspertët shpjegojnë se sistemi imunitar i foshnjës mëson t’i njohë ushqimet si të sigurta kur ato konsumohen herët dhe në mënyrë të rregullt. Nëse një ushqim nuk futet në dietë, organizmi mund ta identifikojë më vonë si një kërcënim dhe të zhvillojë reaksion alergjik.

“Kur ushqimi konsumohet dhe arrin në zorrë, sistemi imunitar mëson ta pranojë atë. Nëse kjo nuk ndodh, organizmi mund ta perceptojë ushqimin si diçka të huaj që duhet sulmuar”, ka shpjeguar doktori Scott Sicherer nga Shkolla e Mjekësisë Mount Sinai në New York.

Sipas ekspertëve futja e vezëve në dietë duhet të bëhet vetëm kur foshnja është gati për ushqime të ngurta. Shenjat kryesore përfshijnë aftësinë për të mbajtur kokën drejt, për t’u ulur me ose pa mbështetje, për të hapur gojën kur i ofrohet ushqim dhe për të gëlltitur ushqimin pa e nxjerrë jashtë.

Mjekët rekomandojnë që vezët të jenë gjithmonë të gatuara mirë dhe të shtypura ose të përziera me ushqime të tjera të buta për të shmangur rrezikun e ngufatjes.

Megjithatë, ekspertët këshillojnë që prindërit të konsultohen me pediatrin përpara se të fillojnë futjen e ushqimeve të reja në dietë, sidomos nëse fëmija ka ekzemë ose histori familjare alergjish.

Sipas ekspertëve, studimi i ri u shtohet provave gjithnjë e më të shumta se futja e hershme në dietë e ushqimeve që mund të shkaktojnë alergji, si vezët dhe kikirikët, mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të alergjive te fëmijët.