Një studim i ri ka zbuluar se kujdesi për shëndetin në moshën 45-65 vjeç mund ta vonojë shfaqjen e demencës mesatarisht me afro 13 vjet, ka shkruar The Guardian.
Sipas hulumtimit, tre faktorët më të rëndësishëm janë mbajtja e tensionit të gjakut në vlera normale, shmangia e diabetit të tipit 2 si dhe mospirja e duhanit.
Shkencëtarët nga NYU Langone Health analizuan të dhënat e mbi 12 mijë personave, të cilët u ndoqën për rreth 26 vjet. Gjatë kësaj periudhe, mbi 3 mijë pjesëmarrës zhvilluan demencë.
Rezultatet treguan se personat që nuk kishin asnjërin nga këta tre faktorë rreziku jetuan mesatarisht 30 vjet pa demencë, ndërsa ata që i kishin të tre jetuan vetëm rreth 17 vjet pa e zhvilluar sëmundjen.
“Gjetjet tona tregojnë se njerëzit duhet t’i shmangin këta faktorë rreziku gjatë moshës së mesme, nëse duan ta ruajnë shëndetin e trurit për më shumë se një dekadë”, ka thënë drejtuesi i studimit, doktori Josef Coresh.
Ai ka shtuar se shpreson që rezultatet “t’i nxisin njerëzit të lënë duhanin dhe të kujdesen për shëndetin e enëve të gjakut duke filluar nga mosha 45 vjeç”, ka thënë ai.
Edhe
Tri gjëra që duhet t’u kushtoni vëmendje ndërsa plakeni
Edhe doktoresha Jacqui Hanley nga Alzheimer’s Research UK, e cila nuk mori pjesë në studim, ka theksuar rëndësinë e këtyre gjetjeve.
“Edhe pse nuk ka një mënyrë të garantuar për ta parandaluar demencën, gjithnjë e më shumë studime tregojnë se kujdesi për shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut mund të ulë rrezikun e rënies së aftësive njohëse dhe të demencës”, ka thënë ajo.
Sipas ekspertëve aktiviteti i rregullt fizik, mos pirja e duhanit dhe mbajtja nën kontroll e tensionit të gjakut dhe diabetit, janë masa që mund të ndihmojnë jo vetëm zemrën, por edhe trurin.
-
Katër gjëra që duhet t’i bëni para orës 10 të mëngjesit për të ulur rrezikun nga demenca
-
Kufizimi i sheqerit deri në moshën dyvjeçare mund të mbrojë trurin në pleqëri
-
Analiza e gjakut mund të parashikojë rrezikun për Alzheimer deri në 10 vjet përpara
-
Ushqyerja në mënyrë të shëndetshme ul rrezikun nga zhvillimi i demencës