Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Dëshironi të ulni rrezikun e demencës? Kjo nuk përfshin një analizë gjaku

Demenca

Foto: Associated Press

Analizat e reja të gjakut, të cilat mund të parashikojnë Alzheimerin vite përpara se të shfaqen simptomat, mund të duken shumë joshëse për njerëzit që shqetësohen për demencën në moshë të shtyrë. Por mjekët thonë se këto analiza nuk janë ende plotësisht gati dhe për më tepër, nuk ju nevojitet një test përpara se të përpiqeni të ulni rrezikun nga demenca.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar katër analiza gjaku që ndihmojnë mjekët të përcaktojnë nëse Alzheimeri apo ndonjë problem tjetër, është shkaku i problemeve me kujtesën ose simptomave të tjera njohëse të një personi.

Disa laboratorë dhe shërbime online ofrojnë realizimin e këtyre analizave. Një diagnozë më e shpejtë mund t’i ndihmojë njerëzit me Alzheimer në fazat e hershme të kualifikohen për barna që mund të ngadalësojnë, në një masë të kufizuar, përkeqësimin e simptomave, ka raportuar AP.

Megjithatë, specialistët e demencës thonë se edhe njerëzit pa simptoma kërkojnë këto analiza, megjithëse ato nuk janë as të miratuara dhe as të rekomanduara për këtë grup personash.

“Personat e shqetësuar që në fakt janë të shëndetshëm, nuk duhet t’i bëjnë këto analiza jashtë një studimi kërkimor”, theksoi eksperti i analizave mjekësore Nicholas Ashton, nga Banner Health në Arizona.

Në vend të kësaj studiuesit rekomandojnë që të përqendroheni te trajtimi i faktorëve të rrezikut për trurin që mund të parandalohen. Një studim i madh zbuloi se njerëzit që arrinin moshën e mesme pa pasur tension të lartë të gjakut, diabet dhe pa pirë duhan, jetonin shumë më gjatë pa demencë - gati 13 vjet më shumë - sesa njerëzit që kishin të tria këto probleme të zakonshme shëndetësore në të 50-at.

“Veproni në mënyrë ‘agresive’”, këshilloi Josef Coresh nga “NYU Langone Health”, autori kryesor i studimit. Sipas tij sa më vonë të prekeni nga këto sëmundje përfitimet për shëndetin janë shumë më të mëdha. 

Çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë analizat e gjakut për Alzheimerin?

Ashtu si shumë njerëz që kanë parë një person të dashur të preket rëndë nga Alzheimeri, Mark Yost shqetësohet për rrezikun e tij, edhe pse nuk ka simptoma.

“Dua të di se në çfarë gjendjeje jam”, tha Yost, 60 vjeç, nga Phoenix. Dhe nëse shfaqen shenja të problemeve, “dua të di se çfarë mund të bëj për ta shmangur ose për ta ngadalësuar”.

Nuk është e qartë se çfarë e shkakton Alzheimerin, por shenjat karakteristike të tij janë format jonormale të dy proteinave. Beta-amiloidi mund të grumbullohet dhe të formojë pllaka në tru që pengojnë funksionimin normal të tij gjatë dekadave. Më pas, kjo mund të nxisë formimin e grumbujve të proteinës tau që dëmtojnë neuronet dhe çojnë në shfaqjen e simptomave.

Analizat e gjakut që matin një lloj të proteinës tau të quajtur p-tau 217 duket se janë veçanërisht të mira për të treguar grumbullimin e beta-amiloidit te njerëzit që kanë simptoma. Sa i përket njerëzve pa simptoma, një studim i udhëhequr nga studiues të Mass General Brigham zbuloi se të rriturit e moshuar me nivele shumë të larta të p-tau 217 kishin 38% rrezik për të zhvilluar dëmtime njohëse brenda pesë vjetëve dhe një rrezik edhe më të lartë brenda 10 vjetëve.

Por ja ku qëndron problemi: një rezultat “pozitiv” i analizës është vetëm një faktor rreziku, jo një garanci se një person do të zhvillojë më vonë Alzheimer, paralajmëroi Ashton. Shumë të moshuar kanë nivele të larta të beta-amiloidit, por nuk shfaqin kurrë probleme me aftësitë njohëse.

Dhe ndërsa rezultatet negative të analizave duket se janë mjaft të besueshme, një rezultat pozitiv ndonjëherë mund të jetë i gabuar e që quhet rezultat pozitiv i rremë.

Yost mori pjesë vullnetarisht në një studim të Banner Health për analizat e gjakut, i cili përfshinte njerëz me aftësi njohëse normale, dhe mësoi se rezultati i tij ishte “i ndërmjetëm”. Kjo përcaktohej si mundësia që ai të kishte njëfarë grumbullimi të beta-amiloidit, por jo në një nivel shqetësues. 

Yost e përjetoi këtë pasiguri si “pak zhgënjyese” dhe si diçka që duhet ta monitorojë ndërsa plaket, ndërkohë që po ndjek hapa për një tru të shëndetshëm, si ushtrimet fizike dhe gjenealogjinë, një hobi që stimulon mendërisht.

Çfarë duhet të bëjë çdokush për shëndetin e trurit, pa pasur nevojë për analizë?

Një studim i madh i kryer vitin e kaluar zbuloi se zakonet më të shëndetshme e ngadalësuan rënien e aftësive njohëse të lidhur me moshën te të rriturit e moshuar që kishin rrezik të shtuar për të zhvilluar demencë.

Ndër hapat e rekomanduar ishin: gjysmë ore ushtrime me intensitet të moderuar, katër herë në javë; ushtrime force dy herë në javë; dhe ndjekja e dietës MIND, e cila thekson konsumimin e shumë perimeve me gjethe jeshile dhe frutave të pyllit, drithërave integrale, mishit të shpendëve dhe peshkut.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu që të flini mjaftueshëm, të shmangni izolimin social, të trajtoni humbjen e dëgjimit dhe të ushtroni trurin, jo vetëm trupin.

Ata thonë se mosha e mesme është një periudhë kyçe për të vepruar.

Sa u përket atyre 13 vjetëve shtesë pa demencë, studimi i NYU përforcon idenë se ajo që është e mirë për zemrën është e mirë edhe për trurin.

Ekipi i Coresh analizoi të dhënat shëndetësore të më shumë se 12,000 njerëzve, të cilët ishin ndjekur për dekada që kur ishin, mesatarisht, 56 vjeç.

Tensioni i lartë i gjakut, diabeti i tipit 2 dhe duhanpirja mund të dëmtojnë enët e gjakut që furnizojnë trurin dhe të nxisin inflamacionin.

Njerëzit që hynë në studim pa këto tri probleme patën rezultatet më të mira, por shmangia e njërit ose dy prej tyre ishte gjithashtu e dobishme.

Edhe njerëzit që mbartin gjenin APOE4, i cili rrit rrezikun për Alzheimer në moshë të shtyrë, përfituan nga një moshë e mesme më e shëndetshme.

Studime të tjera kanë treguar gjithashtu se trajtimi i menjëhershëm dhe serioz i tensionit të lartë të gjakut ndihmon shëndetin e trurit.

“Jini shumë seriozë me mjekun tuaj për rëndësinë e uljes së tij sa më herët të jetë e mundur dhe mbajtjes së tij të ulët për sa më shumë vite të jetë e mundur”, tha Coresh.

Sa u përket analizave të gjakut për Alzheimerin, duhet të presim rezultatet e ardhshme.

Aktualisht po zhvillohen prova klinike për të parë nëse barnat që përdoren tani për trajtimin e Alzheimerit mund të ndihmojnë edhe disa njerëz përpara se të zhvillojnë simptoma.

Këto rezultate mund të ndryshojnë mënyrën se si këshillohet përdorimi i analizave në të ardhmen.