Lifestyle

Vitamina D mund të ngadalësojë plakjen

Vitamina D

Vitamina D (ilustrim)

Një studim i publikuar në revistën “The American Journal of Clinical Nutrition” sugjeron se suplementet me vitaminë D mund të ngadalësojnë procesin e plakjes, duke ndihmuar në ruajtjen e telomerëve, që janë pjesët mbrojtëse në fund të kromozomeve.

Sipas studiuesve, shkurtimi i telomerëve është një proces natyral që ndodh me kalimin e moshës, por mund të lidhet me rrezik më të lartë për sëmundje të ndryshme dhe madje edhe me jetëgjatësinë, ka raportuar Medial News Today.

“Kur telomerët bëhen shumë të shkurtër, qelizat ndalojnë së shumuari (senescencë) ose vdesin (apoptozë). Të dyja këto gjendje kontribuojnë në plakje dhe sëmundje të lidhura me moshën”, ka shpjeguar doktori David Cutler, mjek familjar në “Providence Saint John’s Health Center” në Santa Monica, Kaliforni, për Medical News Today.

Studiuesit kanë përdorur të dhëna nga studimi “VITAL”, që ka përfshirë mijëra të rritur në SHBA që morën suplemente me vitaminë D3, acide yndyrore omega-3, ose placebo për rreth pesë vjet. Studimi ishte i kontrolluar, i rastësishëm dhe nuk dihej kush merrte suplement dhe kush placebo.

Në analizë janë përfshirë mbi 1,000 pjesëmarrës të cilët kanë dhënë mostra gjaku në fillim të studimit dhe më pas, pas dy dhe katër vjetësh pas nisjes së studimit. Studiuesit kanë analizuar gjatësinë e telomerëve në leukocite (qelizat e bardha të gjakut) për të parë nëse suplementet kishin efekt.

Rezultatet: Vitamina D ndihmon, omega -3 jo

-Pjesëmarrësit që morën vitaminë D patën vetëm shkurtim minimal të telomerëve pas dy dhe katër vjetësh.

-Në krahasim, grupi që mori placebo kishte shkurtim të dukshëm të telomerëve në të njëjtat periudha kohore.

-Suplementet me omega-3 nuk treguan ndonjë efekt të rëndësishëm në gjatësinë e telomerëve.

Analiza e mëtejshme tregoi se:

-Vitamina D kishte efekt më të fortë te personat që nuk merrnin ilaçe për kolesterol.

-Efekti ishte gjithashtu më i dukshëm te pjesëmarrësit afroamerikanë.

-Ata që nuk ishin obezë përfitonin më shumë nga vitamina D në ruajtjen e telomerëve.

-Omega - 3 nuk ndikonte në efektin e vitaminës D.

Kufizimet e studimit

Studiuesit kanë theksuar se kjo ishte analizë dytësore mbi të dhëna ekzistuese, ndaj nuk ishte studimi i projektuar posaçërisht për këtë qëllim.

Ata kanë deklaruar gjithashtu se pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin të bardhë dhe mbi 50 vjeç, ndaj rezultatet nuk mund të merren parasysh për çdo grup.

-Kishte mungesë të të dhënave për rreth 37% të pjesëmarrësve pas katër vjetësh, çka mund të ketë ndikuar në rezultatet.

-U analizuan vetëm telomerët në qelizat e bardha të gjakut, jo në inde të tjera të trupit.

“Studimi përfshiu një numër relativisht të vogël pjesëmarrësish, u fokusua vetëm në leukocite dhe nuk vlerësoi ndikimin konkret në shëndet. Prandaj, ndikimi klinik që mund të nxjerrim është i kufizuar”, ka thënë doktori David Cutler.

A mund të ngadalësojë plakjen me 3 vjet?

Autorët e studimit kanë theksuar se ruajtja e telomerëve që u vu re te grupi me vitaminë D mund të përkthehet në rreth 3 vjet më pak plakje biologjike.

“E dimë se vitamina D ndihmon kockat, sistemin imunitar dhe redukton inflamacionin. Por tani kjo lidhet edhe me ruajtjen e telomerëve, pra me ngadalësimin e plakjes dhe parandalimin e sëmundjeve. Është mbresëlënëse!”, ka thënë doktori Yoshua Quinones, mjek internist dhe bashkëpunëtor në LabFinder.com.

Sipas tij, nëse kjo konfirmohet nga studime të tjera, suplementet ditore të vitaminës D mund të jenë çelës për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të lidhura me moshën.

“Mund të çojnë në udhëzime të reja mjekësore dhe të jenë shumë të rëndësishme për mjekësinë parandaluese”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ekspertët kanë theksuar se vitamina D është e tretshme në yndyrë, ndaj mund të grumbullohet në trup dhe të shkaktojë toksicitet nëse merret në sasi të mëdha.

“Ndërsa 2,000 njësi në ditë ka gjasa të jenë të sigurta, doza të larta të vitaminës D mund të dëmtojnë veshkat dhe të shkaktojnë efekte të tjera anësore”, ka paralajmëruar Cutler.