Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Vitamina D mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit nga rënia e kujtesës

Ushqimet e pasura me vitaminë D

Ushqimet e pasura me vitaminë D

Studimi i ri nga Emory University sugjeron se vitamina D mund të ketë rol edhe në shëndetin e trurit, sidomos te të moshuarit që kanë shenja të hershme të rënies së funksioneve njohëse, ka shkruar HuffPost.

Studimi përfshiu 54 persona me probleme të gjumit dhe dëmtime të lehta të kujtesës dhe aftësive të të menduarit. Ata që merrnin të paktën 5,000 njësi vitaminë D në ditë rezultuan me funksion më të mirë njohës krahasuar me ata që nuk merrnin suplement.

Në një test që mat kujtesën dhe aftësitë e të menduarit, personat që morën 5,000 njësi vitaminë D shënuan rreth 13 për qind më shumë pikë.

“Te të moshuarit që kanë probleme me gjumin dhe dëmtime të lehta të aftësive njohëse, kjo mund të jetë një periudhë e rëndësishme për ndërhyrje, kur ndryshimet në aftësitë njohëse sapo kanë filluar, por ende ekzistojnë mundësi për të mbështetur shëndetin e trurit”, ka thënë autorja e studimit, Victoria Pak.

Por, megjithatë studimi ka kufizime.

Sipas studiuesve rezultatet nuk do të thonë se vitamina D parandalon demencën. Studimi ishte i vogël dhe përfshiu vetëm persona me probleme të gjumit dhe dëmtime të lehta të aftësive njohëse, ndaj nevojiten kërkime më të mëdha për të konfirmuar përfundimet.

Efektet pozitive u vunë re si te vitamina D2, ashtu edhe te vitamina D3, ndërsa dozat më të ulëta se 5,000 njësi nuk treguan përmirësime të dukshme në kujtesë apo të menduar.

Edhe Vitaminat e nevojshme për trupin e njeriut gjatë verës Lifestyle Vitaminat e nevojshme për trupin e njeriut gjatë verës

Vitamina D merret kryesisht nga dielli, disa ushqime dhe suplementet. Burime ushqimore janë peshqit yndyrorë si salmoni, toni dhe sardelet, vezët, qumështi dhe disa lloje kërpudhash.

Ekspertët rekomandojnë gjithashtu një mënyrë jetese të shëndetshme për të mbështetur trurin: aktivitet fizik, ushqyerje të shëndetshme, gjumë të mjaftueshëm, kontroll të tensionit dhe diabetit, ruajtjen e kontakteve sociale dhe stimulimin e trurit përmes aktiviteteve të reja.

Megjithatë, suplementet e vitaminës D nuk janë të përshtatshme për të gjithë dhe mund të ndërveprojnë me disa ilaçe. Para se të merrni doza të larta, ekspertët rekomandojnë të këshilloheni me mjekun.