Lifestyle

Katër suplemente që mund ta ndihmojnë shëndetin e trurit, sipas ekspertëve.

Suplemente

Nëse ndiheni shpesh të lodhur mendërisht, me vështirësi për t’u përqendruar, për të mbajtur mend ose për të menduar qartë, nuk jeni i vetëm. 

Ritmi i shpejtë i jetës, njoftimet e pandërprera dhe mungesa e pushimit të vërtetë për trurin kontribuojnë në lodhje mendore. Për këtë arsye, shumë njerëz po kërkojnë mënyra për të mbështetur shëndetin e trurit, përfshirë edhe suplementet.

Ekspertët theksojnë se suplementet nuk janë zgjidhje magjike, por disa prej tyre mund të jenë ndihmëse si pjesë e një stili jetese të shëndetshëm për trurin, ka shkruar EatingWell.

Omega-3 (EPA dhe DHA)

Acidet yndyrore omega-3 janë ndër më të studiuarat për shëndetin e trurit. DHA është përbërës kryesor i qelizave të trurit, sidomos në zonat që lidhen me kujtesën dhe të nxënit, ndërsa EPA ndihmon në uljen e inflamacionit dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut në tru.

“Truri është një organ shumë kërkues për energji dhe i pasur me yndyra, prandaj DHA dhe EPA janë thelbësore për qëndrueshmërinë njohës”, ka shpjeguar doktoresha Jenna Macciochi.

Sipas dietologes Amy Archer, nivelet e ulëta të omega-3 lidhen me rënie të funksionit njohës. 

“Indeksi i ulët i omega-3 është shoqëruar me volum më të vogël të trurit dhe rrezik më të lartë për demencë”, ka thënë ajo.

Magnezi

Magnezi luan rol në qindra procese në trup, përfshirë sinjalizimin nervor, menaxhimin e stresit dhe cilësinë e gjumit. Një formë specifike, magnezi L-treonat, ka treguar se mund ta kalojë barrierën e trurit.

“Në një studim të vitit 2022, suplementimi me magnez L-treonat rriti nivelet e magnezit në tru dhe përmirësoi kujtesën dhe funksionin njohës”, ka thënë doktoresha Amy Archer.

Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në tru, magnezi ndihmon edhe për gjumë më të mirë dhe ulje të stresit, dy faktorë të rëndësishëm për qartësinë mendore.

Vitamina D

Vitamina D është e rëndësishme edhe për shëndetin e trurit, pasi ndikon në funksionimin e qelizave dhe në kontrollin e inflamacionit nervor.

“Vitamina D luan rol të rëndësishëm në shprehjen e gjeneve që mbështesin funksionimin e qelizave të trurit”, ka shpjeguar Archer, duke shtuar se mungesa e saj është problem global.

Pasi është e vështirë të merret vetëm nga ushqimi dhe dielli, suplementimi mund të jetë i nevojshëm për personat me nivele të ulëta, gjithmonë me këshillë mjekësore.

Çka tjetër ndihmon trurin

Ekspertët theksojnë se zakonet e përditshme janë baza e shëndetit të trurit. 

Gjumë i rregullt dhe cilësor, ushqim i balancuar, aktivitet fizik dhe menaxhim i stresit janë po aq të rëndësishme sa suplementet.

“Gjatë gjumit, truri pastron mbetjet toksike”, ka thënë Archer, duke rekomanduar 7 deri në 9 orë gjumë në natë.

Po ashtu, reduktimi i stimulimit të vazhdueshëm dhe krijimi i momenteve të qeta gjatë ditës ndihmon në uljen e lodhjes mendore.