Manchester City i është bashkuar Arsenalit në finale të Kupës së Ligës, pasi e eliminoi fituesin në fuqi, Newcastle Unitedin.
City i udhëhequr nga Pep Guardiola e fitoi të mërkurën mbrëma edhe ndeshjen kthyese të gjysmëfinales. E mposhti Newcastlen 3:1 në “Etihad Stadium”. Ndeshjen e parë në udhëtim e kishte fituar 2:0.
Vendësit i shënuan të tria golat në pjesën e parë. Sulmuesi i Egjiptit, Omar Marmoush, shënoi dy herë, në minutën e shtatë dhe të 29-të, ndërsa mesfushori Tijjani Reijnders e realizoi golin për 3:0 në minutën e 32-të.
Gol të bukur për Newcastlen shënoi Anthony Elanga në minutën e 62-të, por që ishte i pamjaftueshëm për ta shmangur eliminimin.
City kalon tutje me rezultatin e përgjithshëm, 5:1, ndërsa në finale do të përballet me Arsenalin. Finalja luhet në “Wembley” më 22 mars.
Newcastle Unitedi në edicionin e kaluar të Kupës EFL, e mposhti Liverpoolin në finale, për trofeun e parë të kësaj gare.
