Lifestyle

Shishet e ujit, strehë për baktere nëse nuk pastrohen rregullisht

uji

Ekspertët thonë se shishet e ripërdorshme ndoten pavarësisht se me çfarë lëngu janë mbushur, madje është e rëndësishme të pastrohen rregullisht.

Shishet e ujit mbledhin mikrobe nga goja dhe nga duart kur prekim kapakun. Ato janë të mbuluara me vrima dhe çarje të vogla, të vështira për t'u arritur, të cilat mund të bëhen vende për shumimin e mykut, baktereve dhe mikrobeve të tjera nëse nuk pastrohen.

“Duket si diçka e zakonshme, por është shumë e rëndësishme”, ka thënë infermierja Michele Knepper, e cila punon në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut, raportoi të mërkurën “Associated Press”.

Shishet e ujit të papastra mund të shkaktojnë dhimbje stomaku dhe kruarje të fytit dhe madje të përkeqësojnë alergjitë dhe astmën.

Ekspertët nuk bien dakord se kur dhe si duhet të pastrohen, por të gjithë janë dakord për një gjë: duhet të jenë të pastra.

Shishet plastike kanë më shumë gjasa të gërvishten ose të plasariten brenda, ku mund të krijohet një atmosferë e ngrohtë për jetën e mikrobeve.

Rutina më e mirë e pastrimit është e thjeshtë: Përdorni një sfungjer ose furçë shishesh për të pastruar brenda dhe jashtë me ujë të ngrohtë me sapun, shpëlajeni dhe lëreni të thahet në mënyrë që të jetë gati për mbushjen tjetër.

Shumë ekspertë rekomandojnë një pastrim të thjeshtë me ujë me sapun çdo ditë dhe një pastrim më të thellë një herë në javë.

Por nëse shishja mbushet me pije të tjera, është e rëndësishme të pastrohet çdo ditë. Pijet me sheqer lënë një mbetje që bakteret pëlqejnë ta hanë.

Rutinat e pastrimit të shisheve të ujit mund të mos duken të gjitha njësoj, por është e rëndësishme të mbahet ky zakon, tha Ivy Sun, eksperte në Universitetin Jugor të Xhorxhias, e cila ka studiuar ndotjen e shisheve të ujit.