Lifestyle

Mikroplastikat janë kudo. Ja si të zvogëloni sa më shumë ekspozimin ndaj tyre

Prezenca e mikroplastikës në ushqimet e zakonshme

Prezenca e mikroplastikës në ushqimet e zakonshme

Mikroplastikat dhe nanoplastikat, grimca shumë të vogla plastike, tashmë gjenden pothuajse kudo: në ujin që pimë, në ushqime si mishi i përpunuar i pulës, mollët, brokoli, madje edhe në ajër.

The New York Times ka shkruar se studimet që janë bërë së fundmi, i lidhin këto grimca me sëmundje të zemrës, probleme të mushkërive dhe shqetësime të tjera serioze për shëndetin.

Ani pse është e pamundur të shmangen plotësisht, ekspertët thonë se mund ta ulet ndjeshëm ekspozimin naj tyre dhe ndikimi i tyre në shëndet, duke u kujdesur për shëndetin në përgjithësi: gjumë i mjaftueshëm, aktivitet fizik, ushqim i balancuar, menaxhim i stresit dhe kontrolle të rregullta mjekësore.

Megjithatë, disa hapa të thjeshtë mund të ndihmojnë në zvogëlimin e kontaktit të përditshëm me mikroplastikat që gjenden në ujë, ushqim e ajër.

Ekspertët, tre mjekë dhe një shkencëtar, Tracey Woodruff, Gillian Goddard, Carlos Lerner dhe Hayley Goldbach, rekomandojnë këto masa:

Të shmanget konsumimi i ujit nga shishet e plastikës

Studimet tregojnë se uji i shisheve plastike ka më shumë mikroplastika sesa uji i çezmës. Shishet plastike lirojnë grimca gjatë prodhimit, transportit dhe ruajtjes. Përdoreni vetëm kur nuk keni zgjidhje tjetër dhe mbani me vete një termos nga çeliku inoks apo ndonjë shishe xhami.

Përdorni filtra uji të certifikuar NSF

Edhe uji i rubinetit mund të përmbajë mikroplastika, por filtrat e certifikuar (NSF/ANSI) i ulin ndjeshëm këto grimca. Në këtë kategori futen filtrat poshtë lavamanit dhe disa filtra si Brita Elite.
Mos e kaloni ujin e nxehtë përmes filtrit dhe mbajeni ujin e filtruar në frigorifer, sepse nxehtësia e dëmton plastikën.

Disa studime tregojnë se zierja e ujit dhe filtrimi më pas e ul edhe më shumë sasinë e mikroplastikave.

Mos ruani ushqime në kuti plastike

Kur është e mundur, shmangni kutitë plastike për ruajtjen e ushqimit dhe mos i ekspozoni ndaj nxehtësisë, acidit ose rrezeve të diellit. Përdorni kuti nga qelqi apo qeramika, sidomos për ushqimet e nxehta. Edhe plastikat “pa BPA” mund të lirojnë kimikale.

Mos i ripërdorni plastikat njëpërdorimshe për ushqim

Kutitë për marrjen me vete të ushqimeve nga restorantet, shishet e plastikës për ujë, ose qeset e qumështit nuk duhet të ripërdoren për ushqim apo pije. Ato nuk janë prodhuar për përdorim të përsëritur dhe çlirojnë mikroplastika shumë më shpejt.

Mos ngrohni ushqim në plastikë

Mos përdorni enë platike për ngrohje të ushqimit në mikrovalë dhe mos hidhni ujë të nxehtë në enë plastike. Edhe nëse shkruan “microwave-safe”, plastika gjithsesi dëmtohet me kalimin e kohës. Zgjidhni enët e qelqit ose qeramikës.

Lani plastikën me dorë

Enëlarësja përdor temperatura shumë të larta, të cilat dëmtojnë plastikën dhe nxisin lirimin e grimcave. Lani enët e plastikës me dorë.

Përdorni dërrasa prerjeje prej druri ose bambuje

Dërrasat për prerjen e ushqimit, që janë të krijuara me plastikë, lirojnë mikroplastika sa herë që preni ushqim mbi to. Druri dhe bambuja janë më të sigurta, zgjasin më shumë dhe janë më të mira për thikat. Nëse përdorni plastikë, zëvendësojeni sapo të jetë gërvishtur shumë.

Mbani më të pastër ajrin e brendshëm 

Mikroplastikat gjenden edhe në pluhur. Pastroni rregullisht me fshesë me qese dhe filtër HEPA, pastrojeni shtëpinë me leckë të lagur, ndërroni filtrat e klimave dhe merrni në konsideratë një pastrues ajri, sidomos në zonat afër rrugëve të ngarkuara.

Masat shtesë për foshnjat dhe fëmijët e vegjël

Foshnjat ekspozohen më shumë ndaj mikroplastikave, sidomos gjatë ushqyerjes me biberon plastik të nxehtë.

Mjekët rekomandojnë:

Të mos e ngrohni formulën ose qumështin në enë plastike

Temperaturat e larta çlirojnë shumë mikroplastika nga biberonët plastikë. Përziejeni formulën në një enë qelqi, ftoheni dhe pastaj transferojeni në biberon.

Të shpëlani biberonin pas sterilizimit

Pasi t’i keni zier biberonët për sterilizim, lini të ftohen dhe shpëlajini me ujë disa herë për të larguar grimcat e çliruara.

Të mendoni për biberonë qelqi ose silikoni

Janë më të sigurt ndaj nxehtësisë dhe më të qëndrueshëm.

T'i lani duart para ngrënies

Fëmijët shpesh i fusin duart në gojë, larja e duarve para ushqimit ul konsumimin e mikroplastikave që vijnë nga pluhuri dhe toka.

Sa duhet të shqetësoheni?

Shkencëtarët ende nuk e dinë saktë se sa mikroplastika marrim çdo ditë dhe sa dëm shkakton kjo në trup. Disa studime tregojnë lidhje me probleme të zemrës, mushkërive, metabolizmit dhe hormonet, por kërkohen më shumë prova.

E rëndësishme është të dini se rreziku lidhet me popullatën në përgjithësi, jo me secilin individ në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Mikroplastikat nuk shmangen plotësisht, por duke pasur stil të shëndetshëm jetese dhe duke ulur kontaktin me to sa të mundeni, jeni më pak të rrezikuar.