Lifestyle

Ata që pinë ujë nga shishet plastike gëlltisin rreth 90 mijë grimca mikroplastike më shumë në vit

Shihet e plastikës

Shihet e plastikës

Uji i ambalazhuar në shishe plastike përmban grimca plastike aq të vogla sa nuk shihen me sy. Një studim i ri tregon se njerëzit që pinë çdo ditë ujë nga shishet plastike marrin në trup shumë më tepër mikroplastikë sesa ata që nuk i përdorin rregullisht

Sarah Sajedi po vizitonte ishullin Phi Phi në Tajlandë, kur u mahnit nga bukuria e Detit Andaman. Por kur pa poshtë këmbëve të saj, vuri re se rëra e bardhë ishte e mbuluar me mbetje plastike, shumica prej tyre shishe uji.

Pas shumë vitesh pune në botën e biznesit si bashkëthemeluese e një kompanie softuerike për mjedisin, kjo përvojë e shtyu Sajedin të bëhej studiuese. Ajo kishte gjithmonë interes për reduktimin e mbetjeve plastike, por kuptoi se problemi kryesor ishte vetë konsumi, ka raportuar Wired.

Si studente doktorature në Universitetin Concordia në Kanada, Sajedi ka analizuar mbi 140 punime shkencore për të kuptuar ndikimin e shisheve plastike në trupin e njeriut. Ajo ka zbuluar se njerëzit gëlltisin mesatarisht 39 mijë deri në 52 mijë grimca mikroplastike në vit nga ushqimi dhe uji. Ndërsa ata që përdorin ujë të ambalazhuar në shishe plastike çdo ditë, sipas studimit të saj, gëlltisin rreth 90 mijë grimca mikroplastike më shumë çdo vit.

“Të pish ujë nga shishet plastike është në rregull në raste emergjente, por nuk duhet të jetë pjesë e përditshme e jetës. Edhe nëse nuk ka efekte të menjëhershme në trup, duhet të kuptojmë rrezikun e dëmeve afatgjata”, ka shpjeguar Sajedi.

Efektet afatgjata mbeten ende të paqarta

Mikroplastikat janë grimca plastike me madhësi nga 1 mikrometër deri në 5 milimetra. Nanoplastikat janë edhe më të vogla. Këto grimca nuk shihen me sy, por krijohen vazhdimisht gjatë prodhimit, ruajtjes, transportit dhe shpërbërjes së shisheve plastike.

Plastikat e cilësisë së ulët, veçanërisht, lëshojnë më lehtë grimca mikroskopike për shkak të rrezatimit të diellit, ndryshimeve të temperaturës dhe përdorimit fizik. Ndryshe nga mikroplastikat që hyjnë në trup përmes zinxhirit ushqimor, ato që vijnë nga shishet plastike janë shqetësuese sepse gëlltiten drejtpërdrejt përmes ujit të pijshëm.

Pasi hyjnë në trup, këto grimca mund të kalojnë në qarkullimin e gjakut dhe të arrijnë në organe të rëndësishme. Kjo mund të shkaktojë inflamacion të vazhdueshëm, stres oksidativ dhe probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë çrregullime hormonale, probleme me sistemin riprodhues, dëmtime të sistemit nervor dhe rritje të rrezikut për disa lloje kanceri.

Megjithatë, efektet afatgjata ende nuk janë plotësisht të qarta, pasi mungojnë testime të gjera dhe metoda të standardizuara matjeje.

Ekzistojnë disa metoda për zbulimin e mikro dhe nanoplastikave, por secila ka kufizimet e saj. Disa dallojnë grimca shumë të vogla, por nuk përcaktojnë përbërjen kimike, ndërsa të tjera analizojnë përbërjen, por nuk kapin grimcat më të imëta. Për më tepër, pajisjet më të sakta janë shumë të shtrenjta dhe jo të disponueshme për të gjitha institucionet kërkimore, gjë që e vështirëson studimin e njëtrajtshëm në nivel global.

S'ka ligj për mënyrën e përdorimit të shisheve plastike

Qeveritë në mbarë botën po përpiqen të kufizojnë ndotjen plastike, por rregulloret aktuale fokusohen kryesisht te qeset plastike, pipëzat dhe ambalazhet. Në krahasim, shishet plastike janë shumë pak të rregulluara, ndonëse dyshohet se kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndet.

Disa rajone në SHBA dhe Kanada kanë ndërmarrë hapa pozitivë, por një kornizë globale rregullatore ende mungon.

Ndotja plastike nuk është vetëm çështje mjedisore, por edhe problem i shëndetit publik. Qasja në ujë të sigurt për të gjithë është një e drejtë themelore e njeriut, por në afat të gjatë nevojitet një sistem i qëndrueshëm furnizimi me ujë që përjashton përdorimin e shisheve plastike.