Lifestyle

Mikroplastikat gjenden kudo dhe po bëhen problem për industrinë e naftës

Mikroplastika

Mikroplastikat po zbulohen gjithnjë e më shumë në trupin e njeriut dhe në furnizimin me ushqim. 
Ato përkufizohen si copëza plastike më të vogla se 5 milimetra, por shpesh janë shumë më të vogla, deri në madhësinë e një virusi apo të një fije ADN-je.

Plastika prodhohet nga petrokimikatet, të cilat vijnë nga nafta dhe gazi. 

Ani pse ky sektor është  pjesë e vogël e industrisë së karburanteve fosile, është burim i madh fitimi.
Prandaj, çdo presion për kufizimin e përdorimit të plastikës shihet si kërcënim për kompanitë e naftës dhe gazit, ka raportuar CNBS.

“Pika ku industria është më e prekshme është ekspozimi i njeriut ndaj mikroplastikave. Ata do të duhet të na bindin se ekspozimi i përditshëm ndaj mikroplastikave, nga lindja deri në vdekje, është në rregull. Se është fantastike. Se i duhet njerëzve. Se nuk ka asnjë problem. Dhe unë nuk mendoj se mund ta fitojnë atë debat”, ka thënë Richard Wiles, president i Center for Climate Integrity.

Studimet shkencore për mikroplastikat janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas National Library of Medicine, publikimet me termin “microplastics” pothuajse janë dyfishuar nga 2021 në 2024.

Një studim i publikuar në Nature Medicine në shkurt 2024 ka gjetur se truri i njerëzve kishte mesatarisht 7 gramë plastikë, rreth 50 për qind më shumë se mostrat e vitit 2016. 

Mostrat u morën nga korteksi frontal, pjesa e trurit që, sipas shkencëtarëve, mund të grumbullojë nivelin më të lartë të mikroplastikave.

“Njerëzit mendojnë se ekzistojnë institucione që matin dhe monitorojnë këto nanoplastika që hyjnë në ushqimin tonë, në ujin tonë, në ajrin tonë, por unë nuk kam parë asnjë provë se kjo po ndodh në një shkallë të konsiderueshme”, ka thënë Andrew West, studiues në Universitetin Duke dhe bashkautor i studimit.

Mikroplastika është gjetur edhe në indet e peshqve dhe madje edhe në fijet e frutave dhe perimeve.

“Falë përparimeve në teknologjinë e monitorimit, tani mund të zbulojmë sasi jashtëzakonisht të vogla të substancave si mikroplastikat”, ka thënë Kimberly Wise White, nga American Chemistry Council.
Por, sipas saj, fakti që gjenden në nivele shumë të ulëta nuk do të thotë se janë të dëmshme.
“Plastika ofron përfitime të mëdha në shëndetësi, sigurinë ushqimore, transport dhe teknologji, përfitime që nuk mund t’i humbim”, ka thënë tutje Wise White.

Megjithatë, për kompanitë e mëdha të naftës dhe gazit, kjo mbetet pikë shumë e rëndësishme.

Me rënien e kërkesës për naftë nga elektrifikimi dhe makinat elektrike, ato po investojnë gjithnjë e më shumë në prodhimin e kimikateve.

International Energy Agency ka raportuar se vetëm në vitin 2024 makinat elektrike zëvendësuan më shumë se 1 milion fuçi naftë në ditë, shifër që pritet të arrijë 5 milionë deri në vitin 2030.
Në raportin e saj për vitin 2024, BP ka thënë se ulja e përdorimit të naftës për transport po kompensohet nga përdorimi i saj për prodhimin e petrokimikatëve, ku plastika zë pjesën më të madhe.

“Kompanitë e mëdha të naftës dhe gazit po luajnë rol të rëndësishëm në zinxhirin e furnizimit me plastika. Teprica e gazit natyror po vjen nga çarja e shkëmbinjve që ndodh përmes presionit hidraulik dhe kjo ka çuar në çmime të ulëta”, ka thënë Kenneth Gillingham, profesor në Universitetin Yale.

Në SHBA, rreth 1.5 për qind e gazit natyror shndërrohet në kimikate që përdoren për të prodhuar plastika dhe produkte të tjera. 

Ndërsa gjigantët si Saudi Aramco kanë shtuar aktivitetin në këtë fushë.

Në vitin 2020, kompania bleu 70 për qind të aksioneve të SABIC, një nga prodhuesit më të mëdhenj të petrokimikatëve në botë.

Vetëm në vitin 2024, SABIC ka gjeneruar gati 35 miliardë dollarë nga petrokimikatet, pavarësisht rezultateve më të dobëta të tremujorit të fundit.

“Ne jemi pa dyshim, si shoqëri, më mirë me plastika sesa pa plastika, por tani po përballemi me pasojat e tyre”, ka thënë Gillingham.