Lifestyle

Rreziku nga mikroplastika në ambalazhet e ushqimit

mikroplastika

Përdorimi i zakonshëm i ambalazheve plastike mund të ndotë ushqimin me mikro dhe nanoplastikë, ka bërë të ditur një studim i ri.

Heqja e mbështjelljes plastike nga mishi apo frutat dhe perimet e paketuara mund të çojë në ndotjen e ushqimit me mikro dhe nanoplastikë, sipas studimit të fundit të publikuar në revistën shkencore NPJ Science of Food.

Ndotja plastike mund të ndodhë gjithashtu gjatë hapjes së paketave të djathit dhe sallamit, gjatë përgatitjes së çajit me qese plastike, apo edhe kur hapim paketimet e qumështit dhe lëngjeve të frutave. Edhe kavanozët prej qelqi që kanë kapakë metalikë të veshur me plastikë mund të lirojnë grimca mikroskopike plastikë.

Sa më shpejt të hapësh një shishe, aq më shumë mikroplastikë çlirohet, tha Lisa Zim mermann, autore kryesore e studimit dhe zyrtare e komunikimit shkencor në Fondacionin Food Packaging Forum në Zvicër.

Ku është gjetur mikroplastika?

Studiuesit kanë zbuluar mikro dhe nanoplastikë në një sërë produktesh ushqimore dhe pijesh, përfshirë birrën, peshkun në konservë, orizin, ujin mineral, çajet, kripën, ushqimet e gatshme dhe pijet e gazuara.

Zimmermann tha se kjo është dëshmia e parë sistematike që tregon se vetë paketimi i ushqimit është burim i drejtpërdrejtë i mikro dhe nanoplastikës në ushqim.

Një studim tjetër nga Food Packaging Forum në shtator të vitit 2024 zbuloi se mbi 3.600 kimikate mund të kalojnë në produktet ushqimore gjatë përpunimit, paketimit apo ruajtjes. 73 prej tyre janë të njohura si shkaktare të kancerit, mutacioneve gjenetike, çrregullimeve hormonale dhe problemeve riprodhuese.

Mikroplastika në trupin e njeriut

Mikroplastikat janë grimca plastike më të vogla se 5 mm, ndërsa nanoplastikat janë edhe më të vogla, aq sa mund të kalojnë përmes indeve të zorrëve ose mushkërive dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut. Kështu, ato mund të përhapen në të gjithë trupin dhe të dëmtojnë qelizat.

Studimet e fundit kanë zbuluar mikroiplastika në trurin e njeriut, gjakun, mushkëritë, mëlçinë, jashtëqitje, qumështin e gjirit dhe placentën.

Një analizë e marsit e vitit 2024 zbuloi se njerëzit që kishin mikro apo nanoplastikë në arteriet e qafës, kishin dyfish më shumë rrezik për infarkt, goditje cerebrale apo vdekje në krahasim me ata që nuk kishin fare.

Çfarë e rrit lirimin e mikroplastikës

Sipas një analize të përzgjedhur të 103 studimeve, disa faktorë e përkeqësojnë ndotjen plastike.

Ushqimet ultra të procesuara përmbajnë më shumë mikroplastikë për shkak të kontaktit më të gjatë me makineri plastike gjatë përpunimit.

Ngrohja e plastikës, larja për t’u ripërdorur, ekspozimi ndaj dritës së diellit, apo hapja dhe mbyllja e përsëritur e paketimit si kapakët e shisheve, rrisin ndjeshëm nivelin e  ndotjes.

Në një shembull, një gotë melamine, plastikë e ngurtë u la deri në 100 herë. Pas çdo larjeje, studiuesit gjetën më shumë mikroplastikë që kalonte te ushqimi i vendosur brenda saj.

Si mund të kufizojmë ekspozimin ndaj mikroplastikës?

Ndërsa nuk mund të shmangim plotësisht mikroplastikën, disa hapa ndihmojnë për të ulur ekspozimin:

Përdorni kavanozë ose enë qelqi ose çelik në vend të plastikës.

Mos e ngrohni ushqimin në enë plastike në mikrovalë, veçanërisht për bebet.

Shmangni paketimet me kod riciklimi 3, të cilat përmbajnë shpesh ftalate, kimikate të dëmshme për shëndetin.

Merrni me vete qese të ripërdorueshme për blerje dhe enë personale për ushqim apo kafe jashtë shtëpisë.

Zgjidhje sistematike

Megjithatë, kjo nuk është një çështje që mund të zgjidhet vetëm nga individët. Nevojitet veprim i përbashkët sistematik për të reduktuar prodhimin dhe ndotjen plastike.

 Në gusht të vitit 2025 në Gjenevë, mbi 175 vende do të mblidhen për të diskutuar një marrëveshje globale për të ndaluar ndotjen plastike. Ekspertët ftojnë qytetarët të ushtrojnë presion mbi përfaqësuesit e tyre për të miratuar masa të forta.