Furça e dhëmbëve është një nga mjetet më të përdorura çdo ditë, por edhe një nga më të ndoturat. Ajo mund të strehojë miliona baktere, kërpudha dhe viruse, përfshirë ato që lidhen me infeksionet në gojë, gripin, herpesin apo edhe bakteret e jashtëqitjes.
Sipas ekspertëve, furça jonë është si një “ekosistem i vogël”. Fijet e saj, që çdo ditë lagen e thahen, krijojnë kushte të përshtatshme për mikrobet, ka shkruar BBC.
“Mikrobet në furçat e dhëmbëve vijnë nga tre burime kryesore: nga goja jonë, nga lëkura dhe nga mjedisi ku mbahet furça”, ka shpjeguar Marc-Kevin Zinn, mikrobiolog në Universitetin Rhine-Waal në Gjermani.
Madje, edhe furçat e reja mund të jenë të kontaminuara: një studim në Brazil tregoi se gjysma e 40 furçave të reja të blera në dyqane tashmë përmbanin baktere të ndryshme.
Mikrobet e zakonshme dhe ato të rrezikshme
Shumica e mikrobeve në furçë janë të padëmshme dhe vijnë nga goja jonë, si Streptococcus mitis apo Actinomyces, që ndihmojnë madje në mbrojtjen kundër kariesit.
Por, sipas Vinicius Pedrazzi, profesor i stomatologjisë në Universitetin e Sao Paulos, në mesin e tyre mund të fshihen edhe bakteret më të rrezikshme si Streptococci dhe Staphylococci, që shkaktojnë prishje të dhëmbëve dhe sëmundje të mishrave.
Studiuesit kanë zbuluar edhe baktere që normalisht gjenden në traktin tretës, si Escherichia coli dhe Pseudomonas aeruginosa, si dhe kërpudhën Candida, që mund të shkaktojë myk.
“Pluhuri” i tualetit
Një prej burimeve më të neveritshme të ndotjes është tualeti. Sa herë që tërhiqet uji, krijohet një përzierje pikash të vogla uji dhe fecesi që mund të përhapen deri në 1.5 metra në ajër. Këto pika mund të përmbajnë viruse si gripi, COVID-19 dhe norovirusi, të cilat mund të bien mbi furçën e dhëmbëve nëse ajo mbahet afër tualetit.
Në një studim të realizuar në një universitet amerikan, 60 për qind e furçave të studentëve që ndanin banjo ishin të ndotura me baktere që gjenden në feces.
Megjithatë, Erica Hartmann, profesoreshë në Universitetin Northwestern (SHBA), ka thënë se kjo ndoshta është më pak shqetësuese sesa duket.
“Unë nuk mendoj se shumica e njerëzve sëmuren nga furça e tyre e dhëmbëve”, ka thënë ajo duke shtuar se shumë baktere të zorrëve nuk mbijetojnë gjatë në ajër.
Por viruse si herpesi (HSV-1) mund të qëndrojnë aktive në furçë deri në 48 orë, prandaj ekspertët këshillojnë të mos ndani furçën dhe të mos lejoni që furçat të prekin njëra-tjetrën, sidomos në ambiente të përbashkëta.
Sa i madh është rreziku?
Sipas Zinn, për shumicën e njerëzve rreziku është i vogël, por për ata me imunitet të dobët mund të jetë më i madh. Studimet tregojnë se disa baktere në furça kanë gjene rezistente ndaj antibiotikëve, që i bëjnë infeksionet më të vështira për t’u trajtuar.
Furçat antibakteriale, që përmbajnë substanca antimikrobiale, nuk kanë treguar efikasitet të madh. Madje, disa studime sugjerojnë se ato mund të rrisin bakteret rezistente. Mënyra më e thjeshtë është ta lini furçën të thahet në ajër, në pozicion vertikal, pa mbulesë. Kjo ndihmon sepse shumë viruse shkatërrohen gjatë tharjes.
Si ta pastroni furçën
Ka shumë mënyra për ta pastruar: me ujë të nxehtë, me uthull, apo duke e zhytur në ujë antiseptik për shpëlarje të gojës për 5-10 minuta. Sipas Pedrazzi, “uji për shpëlarje të gojës që përmbajnë 0.12 për qind klorheksidinë ose 0.05 për qind cetilpiridinium klorid janë më efektivët për dezinfektim”.
Mos e mbani furçën në kuti të mbyllur, sepse lagështia nxit rritjen e mikrobeve. Dhe merrni një brushë të re çdo tre muaj, ose më shpesh nëse jeni sëmurë.
E ardhmja: Furça që ndihmojnë shëndetin
Shkencëtarët po eksplorojnë edhe pasta dhe furça probiotike, që nxisin rritjen e “baktereve të mira”.
Për shembull, Streptococcus salivarius dhe Limosilactobacillus reuteri ndihmojnë në luftimin e baktereve që shkaktojnë karies.
“Konceptet si fijet bioaktive ose shtresat probiotike mund të ofrojnë mënyra inovative për të ruajtur ekuilibrin mikrobial. Por ende kemi shumë për të mësuar”, ka thënë Zinn.