Lifestyle

Imitimi bimor i mishit më i mirë për njerëzit dhe planetin

Burger me “mish” të krijuar nga proteina bimore si soja apo bizelet, që imiton shijen dhe pamjen e mishit tradicional.

Burger me “mish” të krijuar nga proteina bimore si soja apo bizelet, që imiton shijen dhe pamjen e mishit tradicional.

Produktet ushqimore me bazë bimore, si burgerët e kompanive ushqimore “Beyond” apo “Impossible”, po përballen me rënie të kërkesës në SHBA pasi shumë mjekë dhe dietologë i konsiderojnë si ushqime “të shumëpërpunuara”, që tradicionalisht lidhen me rreziqe për shëndetin, ka raportuar CNN.

Por sipas studiueses Roberta Alessandrini nga organizata PAN International, “nëse përzgjidhen me kujdes, këto ushqime mund të ndihmojnë në kalimin drejt një diete më bimore, e cila është e mirë si për shëndetin, ashtu edhe për mjedisin”.

Përfitimet mjedisore janë të qarta: zëvendësimi i një burgeri me mish lope me një version bimor mund të reduktojë deri në 98 për qind emetimet e gazrave serrë, sipas Good Food Institute.

Mishi i krijuar me bazë bimore quhet “ushqim i shumëpërpunuar” sepse kalon përpunime të shumta për të marrë strukturën dhe shijen e mishit, përfshirë përbërës si emulgator, konservues dhe ndonjëherë edhe organizma të modifikuar gjenetikisht. Por studiuesit thonë se kjo nuk i bën automatikisht të dëmshëm.

“Jo të gjitha ushqimet e shumëpërpunuara janë të këqija. Disa mund të jenë shumë të shëndetshme dhe të ndihmojnë njerëzit të bëjnë zgjedhje më të mira”, ka theksuar dietologia Joy Bauer.

Produktet me bazë bimore kanë qenë të kritikuara për përmbajtjen e lartë të yndyrës së ngopur dhe kripës, dy faktorë që rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës. Por prodhuesit kanë filluar të përmirësojnë përbërjen e tyre.

Kompania “Impossible Foods” ka ulur yndyrën e ngopur nga 8 në 6 gramë, ndërsa ka ruajtur shijen dhe pamjen e produktit.

“Produktet tona kanë deri në 75 për qind më pak yndyrë të ngopur se mishi i zakonshëm”, ka thënë Sunil Chandran, zyrtari shkencor i kompanisë.

Kompania “Beyond Meat” ka zëvendësuar vajin e kokosit me vaj avokadoje, duke ulur ndjeshëm sasinë e yndyrës së ngopur.

“Sot, shumica e produkteve tona kanë vetëm 1-2 gramë yndyrë të ngopur dhe ofrojnë 20 gramë proteina”, ka thënë përfaqësuesja e kompanisë, Shira Zackai.

Gjithashtu, këto produkte tani përmbajnë më shumë proteina të plota nga burime si thjerrëzat, bizelet dhe orizi, ndërsa sasia e kripës është ulur me 20 për qind.

Efektet në shëndet

Një studim i kryer nga doktori Christopher Gardner nga Universiteti Stanford ka zbuluar se njerëzit që konsumuan “mish bimor” për dy muaj kishin peshë më të ulët dhe nivel më të mirë të kolesterolit sesa kur konsumuan mish të zakonshëm.

“Kolesteroli dhe TMAO (trimethylamine N-oxide, është një substancë kimike që formohet në trup pas konsumimit të disa lloj ushqimesh si vezët, mishi i kuq e disa lloje peshku), të lidhura me sëmundje të zemrës, ishin më të ulëta pas dietës me produkte që duken si mish, por të krijuar me bazë bimore”, ka thënë ai.

Produktet me bazë bimore janë të kushtueshme dhe doktori Walter Willet nga Harvardi, këtë fakt po e konsideron pengesë për përdorim të përditshëm.

“Këto produkte duhet të jenë konkurruese në çmim me mishin e zakonshëm, përndryshe do të mbeten zgjidhje vetëm për ata që e përballojnë”, ka thënë ai.

Ai këshillon konsumatorët të lexojnë etiketat me vëmendje.

“Zgjidhni produkte me më pak yndyrë të ngopur dhe jo shumë kripë. Një rregull i mirë është të ketë rreth 1 mg natrium për çdo kalori”, ka thënë ai.