Në kohën e rreziqeve nga viruset vdekjeprurëse dhe sëmundje të papritura, mund të harrohet rëndësia e shëndetit të dhëmbëve. Megjithatë, është thelbësore që njerëzit të kenë kujdes për ta. Studimet kanë treguar se mund të ketë një lidhje mes shëndetit të dhëmbëve dhe sëmundjeve të zemrës, madje edhe lidhje me artritin reumatoid.
“Nëse nuk e trajtoni siç duhet gojën tuaj, ka baktere që mund të rriten dhe të shkaktojnë sëmundje, por gjithashtu ato baktere mund të shkaktojnë probleme edhe në pjesë të tjera të trupit,” ka thënë doktori Kim Capehart, kreu i Departamentit të Stomatologjisë të Përgjithshme në Universitetin Augusta në Gjeorgji, ka shkruar HuffPost.
Dhimbja e vazhdueshme e dhëmbëve gjithashtu mund të ndikojë në shëndetin mendor, ka shtuar Capehart. Kjo do të thotë se problemet dentare duhet të shmangen duke i trajtuar me kohë.
Kur bëhet fjalë për mbajtjen e dhëmbëve të shëndetshëm, ka disa ushqime dhe pije që dentistët thonë se janë veçanërisht të dëmshme. Disa krijojnë kushte për dëmtimin e dhëmbëve, ndërsa të tjera mund të shkaktojnë thyerjen e tyre.
Limoni e portokalli, përkundër përfitimeve të tyre për shëndetin për shkak të niveleve të larta të vitaminës C, natyra acidike e tyre është e dëmshme për dhëmbët.
“Portokajtë dhe grejpfrutet mund të shkaktojnë rënie të pH në gojë, duke e bërë atë më acidike, gjë që mund të çojë në dëmtimin e dhëmbëve ose shkatërrimin e smalti”, ka shpjeguar, Jossen Gastelum, dentist nga Arizona.
Doktorët e konsidertojnë të dëmshëm edhe akullin.
“Shumë njerëz e duan akullin, por ai nuk është i mirë për dhëmbët”, ka thënë Capehart, duke theksuar se temperatura e ftohtë mund të jetë problematike për ata me dhëmbë të ndjeshëm dhe e forta e akullit mund të shkaktojë të çara nëpër dhëmbë.
Bonbonet gjithashtu konsiderohen si të pa shëndetshme për dhëmbët, përfshirë edhe ato që kanë strukturë të butë sikur gomë.
“Unë u them pacientëve të mi që çdo ushqim që është acidik ose ngjitës duhet shmangur, sepse janë shumë të dëmshme për dhëmbët, përfshirë karamelet dhe bonbonet me strukturë si gomë. Këto mund të ngjiten në përbërësit e dhëmbëve dhe të jetë e vështirë për t'i larguar, duke krijuar mundësi për krijimin e kariesëve”, ka thënë Capehart.
Ajo ka shpjeguar se buka është gjithashtu ngjitëse dhe mund të ngjitet nëpër dhëmbë, duke shkaktuar probleme dentare. Kjo ndodh pasi buka shndërrohet në sheqer, që mund të shkaktojë karies.
Gastelum ka shtuar se biskotat janë po ashtu të dëmshme për të njëjtën arsye, sidomos për fëmijët.
Pijet energjike dhe ato të gazuara e me sheqer të shtuar, sipas doktorëve, janë shumë të dëmshme për dhëmbët.
“Pijet e gazuara mund të jenë shumë acidike, deri në nivele të ngjashme me acidin e baterive", ka shpjeguar Gastelum.
Ai gjithashtu ka theksuar se pijet energjike janë gjithashtu të dëmshme për dhëmbët, për shkak të niveleve të larta të sheqerit dhe aciditetit.
Kafeja është gjithashtu acidike dhe mund të dëmtojë dhëmbët, duke u lënë njolla dhe duke kontribuar në shkatërrimin e smaltit. Kjo bëhet edhe më e keqe kur shtohet sheqeri, pasi ai krijon një ambient të shkëlqyer për bakteret që shkaktojnë karies.
Ushqimet që mund të ndihmojnë për shëndetin e dhëmbëve
Për fat të mirë, ka ushqime dhe pije që mund të përmirësojnë shëndetin e dhëmbëve.
Perimet si karotat, mund të ndihmojnë për të pastruar dhëmbët gjatë ngrënies.
Gastelum ka rekomanduar edhe selinon, e cila është e dobishme për dhëmbët.
Një tjetër ushqim i mirë për dhëmbët është djathi.
“Djathi është shumë i mirë për dhëmbët dhe mund të ndihmojë në neutralizimin e acideve në gojë”, ka thënë Gastelum.
Djathi përmban kalcium, i cili ndihmon në forcimin e dhëmbëve dhe stimulon prodhimin e pështymës, që ndihmon në balancimin e niveleve të pH-së në gojë.
Doktorët kanë këshilluar që goja të duhet pastruar pas çdo ngrënie apo pije, duke reduktuar kështu mundësinë për krijimin e kariesit.