Lifestyle

Lidhja në mes të problemeve dentare dhe rrezikut për sulm në tru

Kujdesi ndaj dhëmbëve

Shkencëtarët paralajmërojnë për një lidhje befasuese midis shëndetit oral dhe rrezikut për sulm në tru.

Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit me higjienë të dobët dentare kanë rrezik më të lartë për sulm në tru. Studimi, i publikuar në revistën Neurology, tregon se personat që vuajnë si nga kariesi, ashtu edhe nga inflamacioni i mishrave të dhëmbëve (gingiviti), kanë 86 për qind më shumë gjasa të pësojnë sulm në tru, ka raportuat The Independent.

Sipas shkencëtarëve, këta pacientë kanë më shumë gjasa të pësojnë sulme ishemike, që ndodhin kur rrjedha e gjakut drejt trurit ndërpritet për shkak të formimit të mpiksjeve në enët e gjakut. Ky lloj i sulmit është më i zakonshmi në mbarë botën dhe mund të shkaktojë dëmtime të përhershme neurologjike apo vdekje.

Sipas autorëve, ndërsa faktorë të tillë si presioni i lartë i gjakut apo diabeti janë të njohur si rreziqe kryesore për sulme, shëndeti oral shpesh neglizhohet.

Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Karolinës së Jugut, përfshiu rreth 6 mijë të rritur të moshës së mesme, të cilët fillimisht nuk kishin pasur sulm në tru. Pas ekzaminimeve dentare, pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe:

-me gojë të shëndetshme,

-me sëmundje të mishrave të dhëmbëve dhe

-me kombinim të gingivitit e kariesit.

Pas disa vitesh ndjekjeje, u zbulua se:

-vetëm 4 për qind e atyre me dhëmbë të shëndetshëm pësuan sulm,

-7 për qind e atyre me sëmundje të mishrave, dhe

-10 për qind e atyre që kishin edhe karies dhe inflamacion të mishrave.

Llogaritjet përfundimtare treguan se kombinimi i dy problemeve dentare rrit rrezikun për sulm në tru me 86 për qind, ndërsa vetëm sëmundja e mishrave të dhëmbëve lidhej me rritje të rrezikut prej 44 për qind.

“Prania e njëkohshme e sëmundjes periodontale dhe kariesit dentar lidhet në mënyrë të pavarur me rrezik më të lartë për sulm ishemik. Sipas nesh, kujdesi i rregullt dentar mund ta ulë këtë rrezik duke përmirësuar shëndetin oral”, kanë deklaruar autorët e studimit.

Studimi gjithashtu vuri në dukje se personat që kryejnë rregullisht kontrolle profesionale dentare kishin 81 për qind më pak gjasa të kishin të dyja problemet njëkohësisht.

Sipas studiuesve, bakteret që kalojnë nga goja në qarkullimin e gjakut mund të nxisin inflamacion kronik në trup, gjë që çon në rritjen e rrezikut për sulm. Megjithatë, ata shtojnë se edhe faktorë të tjerë, si statusi ekonomik, qasja në kujdes shëndetësor, dieta apo gjenetika, mund të ndikojnë në rezultate.

Në përfundim, studiuesit theksojnë se si mjekët ashtu edhe pacientët duhet të jenë më të vetëdijshëm për pasojat që sjell neglizhenca ndaj shëndetit të dhëmbëve.