Mirëmbajtja e dhëmbëve, pastrimi me pe dentar pas larjes me brushë, është zakon i thjeshtë higjienik, i cili mund të reduktojë rrezikun e goditjes në tru.
“The New York Post” ka shkruar se studimi i fundit sugjeron se përdorimi i perit dentar mund ta ulë rrezikun nga sulmi në tru dhe vetëm një e treta e amerikanëve e praktikojnë këtë zakon të shëndetshëm.
“Një raport global i shëndetit ka zbuluar se sëmundjet orale, si kariesi dhe sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, prekën 3.5 miliardë njerëz në vitin 2022, duke i bërë këto sëmundje më të përhapurat. Qëllimi ynë ishte të përcaktonim se cili nga zakonet higjienike orale, përdorimi i perit dentar, pastrimi i dhëmbëve ose vizitat e rregullta te dentisti, ka ndikimin më të madh në parandalimin e goditjes në tru”, ka thënë doktori Souvik Sen, autor i studimit dhe kryetar i departamentit të neurologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Karolinës së Jugut.
Sipas ekipit të Senit, përdorimi i perit dentar të paktën një herë në javë lidhet me:
Ulje të rrezikut me 22% për sulm ishemik.
Sulmi ishemik në tru (Ischemic Stroke): Ky është lloji më i zakonshëm i sulmit në tru dhe ndodh kur një enë gjaku që furnizon trurin me oksigjen dhe ushqyes ndalon së funksionuari për shkak të një mpiksjeje të gjakut (trombi) apo një ngushtimi të enës së gjakut. Kur truri nuk merr mjaftueshëm oksigjen, qelizat e trurit fillojnë të vdesin dhe kjo mund të shkaktojë dëmtime të përhershme. Kjo lloj goditje ndodh zakonisht për shkak të problemeve të arterieve. Si shembuj mund të jenë kolesteroli i lartë dhe tensioni i lartë i gjakut.
44% më pak rrezik nga sulmi kardiombolik
Sulmi kardiombolik (Cardioembolic Stroke): Ky lloj sulmi në tru ndodh kur një mpiksje gjaku (trombus) krijohet në zemër dhe pastaj kalon nëpër enët e gjakut deri në tru. Ky trombus mund të udhëtojë nga zemra dhe të bllokojë një enë gjaku të trurit. Kjo është shpesh e lidhur me kushte si fibrilacioni atrial (AFib), një çrregullim i ritmit të zemrës që shkakton formimin e mpiksjeve të gjakut në zemër.
12% më pak rrezik të fibrilacionit atrial (AFib)
Fibrilacioni atrial (AFib): Fibrilacioni atrial është çrregullim i ritmit të zemrës, ku zemra rrah në mënyrë të parregullt dhe të shpejtë. Kjo mund të çojë në krijimin e mpiksjeve të gjakut në zemër, që mund të udhëtojnë në tru dhe të shkaktojnë një sulm kardiombolik. Fibrilacioni atrial është një nga shkaqet më të zakonshme të sulmeve në tru tek të rriturit, veçanërisht tek ata që janë mbi 65 vjeç ose kanë sëmundje të zemrës.
“Zakonet e higjienës orale janë të lidhura me inflamacionin dhe ngurtësimin e arterieve”, ka thënë Sen.
Ai ka shtuar se përdorimi i perit dentar mund të reduktojë rrezikun nga sulmi në tru duke ulur infeksionet orale dhe duke inkurajuar zakone të tjera të shëndetshme.
“Përdorimi i perit dentar është zakon i shëndetshëm që është i lehtë për t’u adoptuar, i përballueshëm dhe i arritshëm për të gjithë”, ka thënë ai.
Studimi ka ndjekur më shumë se 6,200 pjesëmarrës për 25 vjet, dhe gjatë asaj periudhe, 434 prej tyre kanë pasur goditje në tru dhe gati 1,300 kanë përjetuar AFib.
Përdorimi më shpeshtë i perit dentar ka çuar në ulje më të madhe të rrezikut nga sulmi në tru.
Ndërkohë, siç është përmendur në studim, peri dentar ndihmon gjithashtu në reduktimin e pllakave dhe pjesëve të ushqimit nga dhëmbët, duke ulur rrezikun e nga kavitetet dhe sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.
Megjithatë, në disa marka të perit dentar janë gjetur kimikate të dëmshme plastike, si PFAS (substanca kimike që mbeten në trup për një kohë të gjatë), të cilat janë të lidhura me probleme shëndetësore.
Studiuesit kanë sugjeruar që të përdoren penj dentar të krijuar nga najloni ose mëndafshi, të cilët kanë përmbajtje të dyllit natyror.
“The New York Post” ka shkruar gjithashtu se studimi i doktorit Sen do të prezantohet në Konferencën Ndërkombëtare 2025 të Shoqatës Amerikane që merret me çështjen e sulmeve në tru, duke ofruar prova më të forta për përfitimet e mundshme të përdorimit të fijes dentare në uljen e rrezikut nga sulmi në tru.