Fredi i ka kaluar pesë muaj i hospitalizuar në spitalin, që është katër orë larg shtëpisë së çiftit, në qytetin jugperëndimor të Misurit në Carthage. Babai 41-vjeçar i gjashtë fëmijëve gati vdiq – por, si shumë të tjerë që mbijetuan pas hospitalizmit nga COVID-19, në shtëpi u kthye më ndryshe. Teksa më shumë se 1 milion njerëz vdiqën nga COVID-19 në SHBA, shumë të tjerë i mbijetuan qëndrimeve në kujdesin intensiv, me një mori problemesh shëndetësore, si ankthi e PTSD
Freddy Fernandez ishte në divanin e shtëpisë së tij në Misuri me foshnjën e tij në prehër, me pajisjen, që po e përdorte për t’i kontrolluar nivelet e tij të oksigjenit pas një periudhe disamujore me COVID-19.
Disa muaj pasi u paralajmërua se partneri i saj mund të mos e mbajë më kurrë vajzën e tij në krah, Vanessa buzëqeshte, teksa vajza e vogël po luante me pajisjen, që Fredi e mban si gjerdan, me fjongon blu të lidhur rreth saj.
Fredi i ka kaluar pesë muaj i hospitalizuar në spitalin, që është katër orë larg shtëpisë së çiftit, në qytetin jugperëndimor të Misurit në Carthage. Babai 41-vjeçar i gjashtë fëmijëve gati vdiq – por, si shumë të tjerë, që mbijetuan pas hospitalizmit nga COVID-19, në shtëpi u kthye më ndryshe.
Teksa më shumë se 1 milion njerëz vdiqën nga COVID-19 në SHBA, shumë të tjerë i mbijetuan qëndrimeve në kujdesin intensiv, me një mori problemesh shëndetësore, si ankthi e PTSD. Hulumtimet kanë treguar se terapia intensive, që fillon në kujdesin intensiv, mund të ndihmojë, por shpesh ishte e vështirë të sigurohej pasi spitalet ishin të mbushura me pacientë.
“Kostoja njerëzore”
“Ka kosto njerëzore që pacienti paguan për mbijetesën në kujdesin intensiv”, ka theksuar Dr. Vinaya Sermadevi, e cila e kishte ndihmuar Fredin gjatë gjithë qëndrimit të tij në spital. “Është sikurse të shkosh në luftë, më pas të kesh pasoja”.
Fredi shpesh rrëmbehet nga kujtimet e asaj kohe; momentet kur iu rikthye vetëdija, e kur u lidh me makinat, që e shtynin të merrnin frymë, duke u kapur fort pas jetës. Nganjëherë e kërkonte nënën e tij, e cila kishte vdekur nga COVID-19 në shtator të vitit 2020.
Fredi nuk ishte prezent kur vajza i erdhi në jetë, e as në katër muajt e parë të saj. Mund të mos kthehet më kurrë në punën e tij të ndërtimit. Vajza tjetër e tij, është e tmerruar nga frika se ai mund të largohet përsëri.
Ndërkohë që bota ecën përpara dhe obligimi për mbajtjen e maskave bie, COVID-19 nuk është zhdukur për të gjithë.
“Kemi mbetur me pasojat e asaj që ka shkaktuar”, është shprehur Vanessa.
Vanessa, 28 vjeçe, ishte ende shtatzënë me Marianën verën e kaluar, kur varianti Delta e kishte goditur Misurin jugperëndimor, dobët i vaksinuar. Kishte dyshime për vaksinën, derisa gjinekologia e kishte siguruar se ishte e sigurt dhe se duhej ta merrte atë.
Edhe Fredit po i mbushej mendja ta merrte vaksinën. Vendasi i qytetit të Meksikos, kishte ardhur në SHBA rreth 20 vjet më parë për të punuar në ndërtim - kryesisht punë çimentoje, ku tashmë ishte edhe banor i përhershëm. Shpeshherë, punonte nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20.00, madje edhe gjatë njërës ditë në fundjavë.
Pikërisht në ditën e fundit të gushtit, kur kishin planifikuar të caktonin termin për t’u vaksinuar, filloi t’i dhembte fyti. Ishte COVID.
“Efekt kumulativ”
Disa ditë më vonë, Fredi kollitej e kishte edhe vështirësi për të marrë frymë. Vanessa e çoi me shpejtësi në spitalin lokal. Megjithëse Fredi ishte goxha i shqetësuar për familjen e tij, donte të besonte se ishte “diçka e vogël”.
Mirëpo pneumonia po kalonte nëpër të dy mushkëritë e tij. Të nesërmen, u dërgua në spitalin më të madh të Springfieldit, që ishte i tejmbushur me pacientë, e ku iu vendos një ventilator. Ama as kjo nuk mjaftoi.
Fredi përfundoi në St. Louis, gati 270 milje larg nga vajzat e tij të vogla; nga djali 10-vjeçar i Vanessas, Miguel, i cili e konsideron Fredin si babanë e tij; dhe tre fëmijët e tjerë me ish-gruan – djemtë 10, 8 dhe 7 vjeç.
Ishte një periudhë e errët, kur shumë njerëz po shpresonin se pandemia po mbaronte, mirëpo varianti i deltës e kishte përmbytur edhe një herë sistemin e kujdesit shëndetësor. Betejat e përditshme me turma të mëdha njerëzish e vdekjesh, ishin të shpeshta, kujton doktoresha Sermadevi. Ajo ka treguar se si në fillim të pandemisë ishin “të habitur që kjo po ndodhte sërish”. Mirëpo pikëllimi, sipas saj, pati “efekt kumulativ” në kohën kur erdhi rritja e deltës. “Nuk kishte vend as për ato emocione më”, është shprehur mjekja.
Megjithëkëtë, Fredi ishte me fat. Më gjithë fjalët, që qarkullonin për kapacitetin e ventilatorit, ajo që kishte më pak furnizim gjatë rritjes së deltës, ishte diçka e quajtur ECMO, ose oksigjenim ekstrakorporal i membranës. Përdoret kur një ventilator nuk është i mjaftueshëm, duke pompuar gjakun nga trupi, duke e oksigjenuar, e më pas duke e kthyer prapë.
Mercy Hospital St. Louis kishte vetëm pajisjet dhe stafin për t’u kujdesur për tre pacientë ECMO në të njëjtën kohë. Dhe më 3 shtator, Fredi u bë një prej tyre.
Megjithatë, kishte rreziqe për qëndrimin e gjatë në spital, që ai po e niste, ka bërë të ditur, Dr. Ann Parker, pulmonologe, që bashkëdrejton klinikën e Ekipit Post-Akut COVID-19 në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins.
Mrekullia e Fredit
Sipas një raporti të vitit 2021 nga revista mjekësore The Lancet, normat e mbijetesës për pacientët kishin rënë gjatë pandemisë në rreth 50%. Kjo do të thoshte se edhe duke qenë me aparaturë, shanset e tij për të mbijetuar, nuk ishin aspak të garantuara.
Vanessa e lindi Marianën më 13 tetor. Fredi kishte qenë në spital për 48 ditë dhe ai as nuk e dinte se ishte babai i një vajze të shëndetshme.
Larg nga i fejuari i saj, Vanessa bëri disa video-telefonata me mjekët e Fredit në të njëjtën ditë që solli të porsalindurën në shtëpi. Lajmi nuk ishte i mirë - Fredi vuante nga infeksionet dhe shërimi nuk po shkonte siç duhej.
Një transplantim i mushkërive, u kishte thënë Sermadevi, dukej se ishte alternativa e tij më e mirë, por me pak gjasa të jetë i suksesshëm, i kishte paralajmëruar ajo.
“Nuk dua t’ju jap shpresë të rreme”, kujton Sermadevi fjalët, që i kishte thënë familjes. “Ka shanse që Mariana të rritet pa baba”.
Mirëpo, Vanesa ishte e vendosur të luftonte përkundër vështirësive, që po i shfaqeshin.
“Më duhej të ndahesha në dysh”, kujton ajo. “E dija që foshnja kishte nevojë për mua, por edhe Fredi po. Dhe kështu e dija që nëse do të isha atje me të, kishte pak shanse që të kthehej në shtëpi dhe atëherë të gjithë do të mund të ishim bashkë me të. Kështu që më duhej të rrezikoja”.
Përktheu: Blerta Haxhiu