Analisti politik, Ben Andoni, ka vlerësuar se Kosova po shkon drejt dështimit si shtet me mosarritjen e krijimit të institucioneve.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Andoni ka thënë se me zvarritjen e procesit të konstituimit, Kosova po i jep argumente përfaqësuesve të Rusisë dhe Kinës që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së këto palë të thonë se nuk është shtet.
Sipas tij, zgjedhjet e reja do të prodhonin krizë të re.
“Zgjedhjet e reja do të prodhonin një krizë të re. Kosova në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit, autoritet rus dhe ai kinez atje do të kenë argumente për t’u thënë kolegëve të tyre që Kosova nuk bën dot institucione, Kosova nuk është shtet. Jemi drejt kësaj, duhet të jesh naiv që mos ta kuptosh se Kosova është drejt asaj që po dështon si shtet dhe kjo është tragjedia më e madhe e asaj sakrifice që nuk ndodhi në mes të viteve ’90-ta por që ka dekada të tëra që bëhet. Duhet të jesh naiv që të mos e kuptosh se Kosova po tregon se është një shtet i dështuar dhe nuk është shumë larg edhe Shqipëria, jemi pothuajse drejt asaj rruge”, ka thënë ai.
Andoni ka eklaruar se zgjedhjet e reja janë arsye për gjithë këtë që po ndodh.
“Mundësitë më të mëdha janë që Kosova të ketë edhe një palë zgjedhje të tjera brenda këtij viti dhe kjo duket arsyeja më logjike e gjithë kësaj që po ndodh. Në qoftë se palët do të ishin të interesuara të kishte zgjidhje në Kosovë, ky debat do të ishte surreal, por në Kosovë po ndodh ndryshe, ky debat që është surreal po kthehet në normal”, ka theksuar ai.