Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bizneset s’duan zgjedhje, kërkojnë funksionalizimin e institucioneve

Qeveria

Derisa 6 tetori po afrohet dhe partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, bizneset kërkojnë kompromis dhe funksionalizim të institucioneve. Nga komuniteti i biznesit thonë se pasiguria politike po vështirëson edhe trajtimin e problemeve ekonomike

Kosova mund të përballet sërish me një proces zgjedhor, nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Por një zhvillim i tillë, nuk e gëzon komunitetin e biznesit. Përfaqësues të tij bëjnë thirrje për kompromis politik dhe funksionalizim të plotë të institucioneve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerëson se zgjedhjet e reja do të ishin proces i panevojshëm me kosto të lartë financiare. 

“Realisht ne, përtej kostos së zgjedhjeve, si domethënë si një proces i cili, duke krahasuar që brenda dy viteve mund të bëhet për herën e katërt, është absolutisht i panevojshëm. Aq më tepër që edhe rezultati zgjedhor nuk është që po pëson ndryshime të mëdha, por natyrisht edhe gatishmëria e partive për të gjetur një kompromis edhe një konsensus, qoftë për emrin e një personi që do të drejtojë atë zyrën e presidentit/presidentes, ose për aspektet e tjera që janë shumë të rëndësishme e që janë të natyrës politike”, ka thënë ai.

Sipas Zekës, Kosova ka nevojë për institucione me mandat të plotë vendimmarrës, veçanërisht sa i përket qeverisjes ekonomike dhe politikave të qëndrueshme, marrë parasysh normën e lartë të inflacionit.

“Vendi ka nevojë për institucione të cilat kanë mandat të plotë vendimmarrës, sidomos në aspektin e qeverisjes ekonomike. Për vite me radhë vendi nuk ka parë një reformë të re fiskale pas asaj të vitit 2015, rrjedhimisht bizneset kanë nevojë që të shohin diçka të tillë. Por përtej bizneseve dhe nevojave të tyre, duke e ditur edhe normën e lartë të inflacionit të cilën ju e përmendët gjatë viteve të fundit, sidomos në këtë tre-mujor të këtij viti, domethënë vendi ka nevojë edhe për politika të qëndrueshme në menaxhimin e situatës socio-ekonomike”, është shprehur ai.

Thirrjes për funksionalizimin e institucioneve dhe trajtimin më serioz të problemeve ekonomike i është bashkuar edhe kryetari i Shoqatës së Gurthyesve të Kosovës në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Gëzon Berisha.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të merret më seriozisht me problemet e bizneseve.

“...kisha kërkuar që në këtë rast qeveria me u marrë shumë më seriozisht me ne, duke pasur parasysh që ekonomia është shtylla kryesore e shtetit, që e mbush buxhetin e shtetit, e mbush arkën e shtetit. Nëse ne nuk e zhvillojmë domethënë ekonominë, atëherë pasojat kanë me qenë shumë të mëdha edhe për, mundem me thënë edhe për ekzistimin e një shteti, nëse s’kemi ekonomi të mirëfilltë, nëse s’kemi biznese, nëse nuk mbushet buxheti”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e njëpasnjëshme, sipas njohësve të ekonomisë e kanë stagnuar këtë fushë, për shkak të moszgjerimit të investimeve të reja si dhe vonesave të investimeve nga fondet ndërkombëtare.