Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Majko: Kosova po hyn në paradhomën e shteteve të dështuara

Pandeli Majko

ARKIV

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka thënë se Kosova po rrezikon seriozisht të hyjë në paradhomën e shteteve të dështuara për shkak të ngërçit të zgjatur politik.

Në një shkrim në Facebook, Majko ka thënë se zgjedhja e presidentit të Republikës “po kthehet në një ‘lodër’ vetëvrasëse”.

“Situata e krijuar në politikën e Kosovës po “vret” mekanizmin e fundit për gjetjen e zgjidhjes së krizës! Ky mekanizëm është i lidhur me zgjedhjet e parakohshme! Votuesit kanë “ngrirë” rezultatet dhe krizën e mosmarrëveshjes! Në kutinë e votimit, Kosova po mbetet jetime! Kosova rrezikon, seriozisht, të hyjë në paradhomën e shteteve të dështuar! Shpresa e fundit, është lodhja nga ideja se dështimi i njëri tjetrit është “zgjidhje”!  Errësira e vërtetë nuk është ajo që njohim, por bindja se drita nuk do të vijë!” ka shkruar ai.

Më 9 shtator është ftuar vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Data ka tejkaluar afatin prej 30 ditësh të paraparë në Kushtetutë për konstituim brenda një muaji që nga certifikimi i rezultateve. Ajo po ashtu ka kaluar edhe 30 ditë të tjera pas mbajtjes së seancës së parë.

Kuvendi është mbledhur dy herë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Në rastin e parë deputetët janë betuar e pas kësaj në foltore Kurti ka kërkuar shtyrje për të negociuar për çështjen e presidentit. Sipas tij, po që se konstituohej Kuvendi dhe formohej Qeveria pa marrëveshje për presidentin, zgjedhjet nuk do të shmangeshin.

Kurti negocioi vetëm me Lidhjen Demokratike. Me këtë parti ditë më parë u dakorduan për emrin e Bekim Sejdiut për kandidat për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan dhe numrat tani janë në rrezik.

Vetëvendosje me 53 deputetë të vet dhe me deputetët minoritarë joserbë e ka shumicën e thjeshtë për të formuar Qeverinë dhe konstituuar Kuvendin. Por për president duhen 80 deputetë të jenë në sallë në dy rundet e para.

Pasi 6 deputetë të LDK-së janë shprehur se s’kanë votë për Sejdiun, numri i atyre që besohet se mbështesin kandidaturën është 74.