Arbëri

Tri shtatzëna me COVID-19 në gjendje të rëndë, 10 të tjera në oksigjenoterapi

Për dallim prej valëve të tjera të COVID-19, të prekur me variantin Delta ka më shumë gra shtatzëna që janë të spitalizuara. Deri tash kanë qenë 70 raste e aktualisht tri gra janë në Njësinë Intensive Qendrore, pesë në Njësinë Intensive në Klinikën e Gjinekologjisë e 10 të tjera në oksigjenoterapi

Një grua e re është e hospitalizuar në Njësinë Intensive për pacientet me COVID-19. Ishte në javën e 31-të të shtatzënësisë. Pas lindjes nga Gjinekologjia është transferuar në Intensive, në gjendje të rënduar. Lëvizjet e pacienteve si kjo nga Klinika e Gjinekologjisë në Njësinë Intensive janë bërë të shpeshta. Një paciente është transferuar paraditen e së mërkurës e një tjetër pritej të transferohej gjatë ditës.

Në këtë valë infektimesh me COVID-19 me rritjen e rasteve është rritur edhe numri i shtatzënave të infektuara. Të martën njëra nga to e ka humbur betejën me COVID- 19. Ishte 29 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, e gjashtëjavëshe shtatzënë.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, ka thënë se maksimumi i grave shtatzëna të hospitalizuara në këtë klinikë ishte 31, e gjatë ditës gjendja dukej më e qetë.

“Deri tash i kemi pasur 70 të hospitalizuara, ndërsa për momentin i kemi 15 të hospitalizuara në repartin, i cili është i dedikuar për lindje dhe shtatzëna... 10 janë me oksigjenoterapi, tri janë në gjendje më të rëndë shëndetësore”, ka thënë ai.

Reparti i Konservatives është i ndarë për gratë shtatzëna me COVID-19. Në Njësinë Intensive të këtij reparti janë pesë gra shtatzëna.

Gjinekologu Curr Gjocaj po merret me trajtimin e këtyre shtatzënave. Ai ka folur për gjendjen e këtyre grave. Ka shpjeguar se si kanë shkuar lindjet e grave që në të njëjtën kohë ishin me COVID-19.

“Deri tash i kemi pasur 20 lindje. Prej tyre lindje spontane kanë përfunduar 7 apo 8. Ndërsa pjesa tjetër në formë operative. Gjendja e këtyre pacienteve në përjashtim të tri nga ky grup që janë transferuar në mjekimin intensiv ka qenë stabile”, ka deklaruar ai.

Të gjitha gratë shtatzëna që janë në gjendje më të rëndë si pasojë e COVID-19 janë të pavaksinuara. Gjocaj ka shpjeguar se çfarë pasojash kanë më së shumti pacientet.

“Të gjitha këto kanë pasur probleme respiratore. Ajo çka ka dëmtuar më së shumti virusi tek këto gra ka qenë sistemi respirator ose në mushkëri dhe kjo i ka detyruar që të kërkojnë ndihmë në spitalin tonë”, ka thënë ai.

Prej fillimit të pandemisë disa gra shtatzëna e kanë humbur betejën me COVID-19. Një pjesë e tyre në moshë të re.

Në fillim ka pasur debat nëse gratë shtatzëna duhet të vaksinohen.

Por qendrat për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC) me bazë në SHBA, thonë se ka pak gjasa që vaksinat kundër koronavirusit të kenë ndikim negativ te gratë shtatzëna.

“Përderisa studimet ende nuk janë bërë, bazuar se si funksionojnë vaksinat (me teknologjinë) mRNA, ekspertët besojnë se ka pak gjasa që ajo të ketë rrezik ndaj grave shtatzëna”, thotë CDC.

Teknologjia mRNA është përdorur në prodhimin e vaksinës së Pfizer/BioNTech dhe asaj të kompanisë “Moderna”. Kjo teknologji përpunon kodin gjenetik të virusit.

“Vaksinat mRNA nuk përmbajnë virusin që e shkakton sëmundjen COVID-19, prandaj nga marrja e vaksinës askush nuk do të infektohet me koronavirus. Megjithatë, rreziqet potenciale ndaj grave shtatzëna dhe fetusit të tyre janë të panjohura sepse këto vaksina nuk janë studiuar në gratë shtatzëna”, thotë CDC.

Nga Ministria e Shëndetësisë gjatë muajit gusht patën thënë se në Kosova ka raste të vaksinimit të shtatzënave dhe grave gjidhënëse.

“Janë dhënë rekomandimet që të ndiqen praktikat e shteteve tjera ku rekomandohet vaksinimi i shtatzënave në rastet kur përfitimet e vaksinimit janë më të mëdha se rreziqet”, njofton Ministria e Shëndetësisë.