Disa persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë me autobus pranë fshatit alpin Susch, në pjesën lindore të Zvicrës, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Në aksident janë përfshirë një autobus me turistë, ndërsa ekipet e emergjencës janë dërguar në vendngjarje, ka bërë të ditur policia e kantonit Graubünden përmes një njoftimi në rrjetin X, raportoi të enjten Reuters.
Sipas një zëdhënëseje të Shoqatës së Përgjithshme Holandeze të Kompanive të Udhëtimit (ANVR), e cila ka folur në emër të operatorit turistik OAD, autobusi ishte i kompanisë dhe në të ndodheshin 48 pasagjerë, të gjithë shtetas holandezë.
Pamjet nga vendi i aksidentit, të publikuara nga gazeta zvicerane “Blick”, tregojnë autobusin të përmbysur në njërën anë, ndërsa në zonë shihen helikopterë dhe një numër i madh automjetesh të shërbimeve emergjente.
Rrethanat e aksidentit dhe numri i saktë i viktimave dhe të lënduarve ende nuk janë bërë të ditura.