Lifestyle

Simptomat e gjata pas COVID-it janë unike, zgjasin më shumë se ato të gripit e pneumonisë

Covid 19

Foto: Associated Press

Një studim i ri nga Universiteti i Teksasit sugjeron se simptomat që shfaqen pas kalimit të COVID-19 janë më të ndryshme dhe zgjasin më gjatë krahasuar me ato që vihen re pas gripit apo pneumonisë. Hulumtimi u botua në revistën PLOS One dhe analizoi të dhënat shëndetësore të mbi 121 mijë pacientëve që e kishin kaluar COVID-19, si dhe grupe krahasuese me 20,844 pacientë me grip dhe 29,052 me pneumoni, të diagnostikuar para pandemisë, ka raportuar CIDRAP.

Simptomat më të shpeshta pas COVID-it

Sipas studimit, simptomat më të zakonshme që vazhduan më shumë se 4 javë pas infektimit me COVID-19 ishin:

lodhja (25.4%)

vështirësia në frymëmarrje (24.7%)

dhimbjet e kyçeve (24.7%)

Ndërkohë, te pacientët me grip, simptomat më të shpeshta që zgjatnin ishin:

dhimbje kyçesh (19.8%)

lodhje (18.2%)

kollë (17.7%)

Te të sëmurët me pneumoni, simptomat që zgjatën më shumë ishin:

vështirësia në frymëmarrje (42.2%)

lodhje (34.8%)

kollë (33.9%)

Sëmundjet e tjera që shtojnë rrezikun

Pacientët që kishin sëmundje kronike kishin më shumë gjasa të përjetonin simptoma pas infektimit me COVID-19. Rreziku ishte më i lartë te ata me: artrit reumatoid, sëmundje të zemrës dhe astmë.

Sa më e rëndë sëmundja, aq më të zgjatura simptomat

Studiuesit vunë re se vetëm rastet më të rënda të COVID-19 vazhdonin të kishin simptoma pas disa muajsh. Tek ata me nivel rëndese 8 (më i larti), gjasat për të pasur lodhje pas 4 javësh ishin 3.32 herë më të larta krahasuar me ata me COVID më të lehtë (niveli 3). Ndërsa vështirësia në frymëmarrje ishte 3.07 herë më e shpeshtë.

“Me kalimin e kohës, intensiteti i simptomave zbehet”, kanë deklaruar autorët e studimit.

Sipas tyre, simptomat pas-COVID nuk mund të shpjegohen plotësisht nga ajo që është parë më parë me gripin apo pneumoninë.

Studiuesit kanë thënë se kanë identifikuar ndryshime të qarta në frekuencën e simptomave dhe kohën që duhet për t’u zhdukur, duke i përshkruar simptomat që zgjasin pas COVID-it si një gjendje unike.