Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Studimi tregon se cili ilaç i diabetit mund të ndikojë më së shumti në humbjen e shikimit

Semaglutide

Semaglutide

Një studim i ri ka zbuluar se personat që përdorin ilaçin e diabetit, për dobësim, Wegovy kanë pothuajse pesë herë më shumë rrezik për humbje të papritur të shikimit krahasuar me ata që përdorin ilaçin me emrin Ozempic, ka raportuar The Guardian.

Ilaçet e diabetit, të njohura si agonistë të receptorit GLP-1, përfshijnë substancën aktive Semaglutide, e cila gjendet në Wegovy, Ozempic dhe Rybelsus, si dhe substancën Tirzepatide që përdoret në ilaçin Mounjaro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këto barna ndihmojnë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, ngadalësojnë tretjen dhe ulin oreksin, dhe janë lidhur me përfitime të ndryshme shëndetësore, përfshirë uljen e rrezikut për sulm në zemër.

Megjithatë, studimi i publikuar në revistën shkencore British Journal of Ophthalmology ka zbuluar se pacientët që përdornin Wegovy për humbje peshe kishin pesë herë më shumë gjasa të zhvillonin një sëmundje të syrit të quajtur Non‑arteritic anterior ischemic optic neuropathy (NAION), krahasuar me ata që merrnin Ozempic për diabet.

Po ashtu, burrat kishin rreth tre herë më shumë rrezik se gratë.

Kjo gjendje shpesh përshkruhet si “sulm në sy”, sepse ndodh kur zvogëlohet rrjedhja e gjakut drejt nervit optik dhe mund të shkaktojë humbje të menjëhershme dhe zakonisht të përhershme të shikimit.

Megjithëse rasti është i rrallë, rreth një në 10 mijë persona që përdorin semaglutide, studiuesit thanë se ekziston “një shqetësim i mundshëm për sigurinë që lidhet me dozën e ilaçit”.

Të tre ilaçet, Wegovy, Ozempic dhe Rybelsus, prodhohen nga kompania farmaceutike Novo Nordisk dhe përmbajnë semaglutide, por kanë doza dhe forma të ndryshme përdorimi.

Sipas njërit prej autorëve të studimit, doktorit Edward Margolin nga Universiteti i Torontos, kjo gjendje mund të jetë një efekt anësor real i semaglutides.

“NAION ka shumë gjasa të jetë një efekt anësor i vërtetë i semaglutides. Humbja e peshës më e shpejtë, më e fortë ose më agresive mund ta rrisë rrezikun për këtë problem”, ka thënë ai.

Studiuesit kanë analizuar raportet për efekte anësore të dërguara në sistemin e raportimit të Food and Drug Administration (FDA) në SHBA, për periudhën nga dhjetori 2017 deri në dhjetor 2024.

Ata kanë krahasuar raportet për pacientët që përdornin:

-Ozempic deri në 2 mg në javë për diabetin e tipit 2

-Wegovy deri në 2.4 mg në javë për obezitetin

-tabletat ditore Rybelsus për diabetin e tipit 2

-si dhe ilaçin Mounjaro që përmban tirzepatide

Rezultatet kanë treguar se Wegovy kishte lidhjen më të fortë me humbjen e papritur të shikimit.

Ndërsa studiuesit nuk gjetën rritje të rrezikut te përdoruesit e Rybelsus apo te ata që merrnin tirzepatide.

Sipas tyre, dozat më të larta të Wegovy dhe fakti që injeksioni vepron më shpejt mund të shpjegojnë pse rreziku duket më i lartë. Ndërsa tabletat Rybelsus përthithen më ngadalë në trup, gjë që mund të shpjegojë pse nuk u gjet një lidhje e qartë.

Rezultatet e studimit erdhën pasi rregullatori britanik i barnave, Medicines and Healthcare products Regulatory Agency, ka lëshuar në muajin shkurt një paralajmërim për këtë rrezik.

“Rreziku për NAION te pacientët që përdorin semaglutide është jashtëzakonisht i ulët. Megjithatë, si me çdo ilaç, pacientët dhe mjekët duhet të jenë të vetëdijshëm për simptomat e mundshme të efekteve anësore, edhe nëse rreziku është shumë i vogël”, ka thënë doktoresha Alison Cave, shefe e sigurisë në këtë agjenci.

Ndërkohë, doktoresha e syve Samantha Mann nga Royal College of Ophthalmologists ka thënë se studimi bazohet në raportime të efekteve anësore dhe nuk mund të provojë drejtpërdrejt shkakun.

“Ky studim mbështetet në raportime të efekteve anësore dhe nuk mund të vërtetojë shkakun apo të tregojë sa shpesh ndodh në të vërtetë ky problem. Në praktikën e përditshme klinike nuk kemi parë një rritje të madhe të kësaj forme ‘goditjeje’ të nervit optik. Nevojiten studime të tjera për ta sqaruar këtë rrezik”, ka thënë Mann.

Nga ana e saj, kompania Novo Nordisk ka thënë se siguria e pacientëve mbetet prioritet.

“Siguria e pacientëve është prioriteti ynë kryesor dhe çdo raport për efekte anësore merret shumë seriozisht. Ne bashkëpunojmë me autoritetet dhe rregullatorët në gjithë botën për të monitoruar vazhdimisht sigurinë e produkteve tona”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë.

Kompania ka shtuar se fletë-udhëzimet për pacientët në Bashkimin Evropian për Wegovy, Ozempic dhe Rybelsus janë përditësuar për të përfshirë NAION, por sipas tyre “të dhënat e përgjithshme nuk tregojnë një lidhje të qartë shkakësore mes semaglutide dhe kësaj gjendjeje, dhe përfitimet e ilaçit vazhdojnë të jenë më të mëdha se rreziqet”.