Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ilaçet e diabetit mund të trajtojnë edhe varësinë nga droga

Semaglutide

Semaglutide

Ilaçet e njohura për trajtimin e diabetit, si Ozempic dhe Mounjaro, mund të ndihmojnë edhe në parandalimin ose uljen e varësive nga substanca të ndryshme, sipas një studimi të madh të realizuar me veteranë ushtarakë në SHBA, ka raportuar Reuters.

Këto barna i përkasin grupit të ilaçeve të quajtura agonistë të receptorit GLP-1. Studimi, i publikuar në revistën shkencore The BMJ, ka zbuluar se ato mund të zvogëlojnë rrezikun për zhvillimin e varësive të reja dhe të ndihmojnë në përmirësimin e atyre ekzistuese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Efekti mbrojtës u vërejt për shumë lloje substancash që krijojnë varësi, përfshirë kokainën, opioidët, alkoolin, nikotinën dhe kanabisin.

Drejtuesi i studimit, doktori Ziyad Al‑Aly nga sistemi shëndetësor i veteranëve VA Saint Louis Health Care System në Missouri, ka thënë se rezultatet e studimit ishin të papritura.

“Fakti që efekti u pa te kaq shumë substanca ishte një befasi e madhe. Në mjekësinë e varësive nuk ekziston një ilaç i vetëm që funksionon për të gjitha këto substanca”, ka thënë ai.

Studiuesit përdorën një bazë të dhënash të veteranëve amerikanë për të analizuar pacientët me diabet të tipit 2 që merrnin dy lloje të ndryshme ilaçesh:

-barna GLP-1 si Trulicity, Mounjaro, Victoza dhe Ozempic

-barna të një grupi tjetër të quajtur frenues SGLT-2, si Jardiance dhe Farxiga

Në studim morën pjesë më shumë se 124 mijë persona pa histori varësie që përdornin barna GLP-1 dhe rreth 400 mijë pacientë të ngjashëm që përdornin ilaçe SGLT-2.

Rezultatet treguan se gjatë tre vjetëve:

-rreziku për një varësi të re nga substancat ishte 14 për qind më i ulët te përdoruesit e ilaçeve GLP-1

-rreziku për varësi nga alkooli ishte 18 për qind më i ulët

-nga kanabisi 14 për qind më i ulët

-nga kokaina 20 për qind më i ulët

-nga nikotina 26 për qind më i ulët

-nga opioidët 25 për qind më i ulët

Ndërkohë, te 81 mijë pacientë që tashmë kishin probleme me varësinë, ilaçet GLP-1 treguan përfitime të tjera të rëndësishme gjatë tre viteve të studimit.

-vizitat emergjente të lidhura me varësinë ishin 31 për qind më të ulëta

-shtrimet në spital 26 për qind më të ulëta

-vdekjet e lidhura me varësinë 50 për qind më të ulëta

-mbidozat nga droga 39 për qind më të ulëta

-mendimet ose tentativat për vetëvrasje 25 për qind më të ulëta

Sipas studiuesve, arsyeja mund të lidhet me mënyrën se si këto ilaçe veprojnë në tru. Receptorët që reagojnë ndaj GLP-1 ndodhen në një zonë të trurit të quajtur sistemi mezolimbik, i cili kontrollon motivimin dhe ndjenjën e shpërblimit.

Doktori Al-Aly ka thënë se ilaçet mund të veprojnë në këtë zonë duke ulur dëshirën për substanca.

“Këto ilaçe mund të ‘mbyllin’ dëshirën e fortë për substanca duke qetësuar sinjalet në tru që i shtyjnë njerëzit drejt përdorimit të tepërt të ushqimit ose drogës”, ka thënë ai.

Megjithatë, studiuesit theksuan se ende nuk dihet nëse këto efekte do të vazhdojnë edhe pas shumë vitesh përdorimi ose nëse truri do të përshtatet me ilaçin.

Një provë e madhe klinike po planifikohet nga Departamenti i Veteranëve në SHBA për të testuar substancën Semaglutide, përbërësi kryesor i ilaçeve Ozempic dhe Wegovy, te veteranët me varësi nga alkooli.

Kompania farmaceutike Novo Nordisk ka deklaruar se aktualisht nuk po zhvillon studime klinike specifike për përdorimin e semaglutides në trajtimin e varësive, por mirëpret kërkimet e pavarura në këtë fushë.

Ndërkohë, studiuesi Fares Qeadan nga Loyola University Chicago, në një editorial të botuar bashkë me studimin, ka theksuar se pacientët nuk duhet të presin një “ilaç magjik”.

“Mesazhi kryesor është që pacientët me diabet të tipit 2 që kanë ose rrezikojnë të kenë varësi nuk duhet të presin një zgjidhje të vetme. Kur ilaçet GLP-1 përdoren për arsye shëndetësore, përfitimet e mundshme për varësitë mund të jenë një faktor shtesë që duhet marrë parasysh në vendimet për trajtim”, ka thënë Qeadan.