Kuriozitet

Pyeti ChatGPT si ta hiqte kripën nga dieta, përfundoi në spital

Kripa

Kripa (Ilustrim)

Një burrë 60-vjeçar përfundoi në spital pasi kërkoi nga ChatGPT këshilla se si ta eliminonte natrium kloridin (kripën e tavolinës) nga dieta e tij, ka raportuar The Independent.

Sipas një raporti të ri të publikuar nga American College of Physicians Journals, burri zhvilloi bromizëm (helmim nga bromidi) pasi për tre muaj me radhë kishte zëvendësuar kripën me natrium bromid, të blerë në internet. Ky helmim ishte i njohur më shumë para viteve ‘90, kur bromidet gjendeshin në disa ilaçe kundër pagjumësisë, ankthit dhe histerisë, por sot është shumë i rrallë.

Gjatë 24 orëve të para në spital, pacienti shfaqi paranojë të theksuar dhe halucinacione dëgjimore e pamore.

“Ai shihej shumë i etur, por paranojak ndaj ujit që i ofrohej”, thuhet në raport.

Më pas u trajtua me lëngje dhe elektrolite, duke u stabilizuar mjaftueshëm për t’u transferuar në repartin e psikiatrisë.

Ndërsa gjendja iu përmirësua, ai rrëfeu se kishte vënë re shenja si akne në fytyrë dhe njolla të vogla të kuqe në lëkurë, simptoma tipike të bromizmit. Burri tregoi se kishte vendosur ta hiqte kloridin nga dieta, i frymëzuar nga studimet e tij të mëparshme në fushën e ushqyerjes.

“E zëvendësova kripën me natrium bromid pasi lexova në ChatGPT se kloridi mund të zëvendësohej me bromid, edhe pse ndoshta për përdorime të tjera, si pastrimi”, ka shpjeguar ai.

Ai qëndroi tre javë në spital përpara se të dilte i shëruar.

“Është e rëndësishme të kemi parasysh se ChatGPT dhe sisteme të tjera të inteligjencës artificiale mund të gjenerojnë pasaktësi shkencore, nuk kanë aftësi për t’i diskutuar rezultatet kritike dhe mund të përhapin dezinformata”, kanë paralajmëruar autorët e raportit.

Edhe vetë kompania OpenAI, zhvilluesja e ChatGPT, pranon në Kushtet e Përdorimit se produkti i saj “mund të mos jetë gjithmonë i saktë” dhe “nuk duhet të përdoret si burim i vetëm informacioni apo si zëvendësim i këshillave profesionale”.

“Shërbimet tona nuk kanë për qëllim të përdoren për diagnostikim apo trajtim të ndonjë gjendjeje shëndetësore”, thuhet në tekstin për kushtet e përdorimit të OpenAI.