Aktorja e njohur britanike, Emma Thompson, ka zbuluar se në vitin 1995, në të njëjtën ditë që u finalizua divorci i saj nga Kenneth Branagh, mori një telefonatë nga presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, i cili e ftoi për darkë.
66-vjeçarja, në festivalin e filmit në Locarno në Zvicër, ka thënë se ishte në xhirimet e filmit “Primary Colors” kur cingëroi telefoni dhe në linjë ishte biznesmeni i atëhershëm Trump, ka raportuar FemaleFirst.
“Telefoni cingëroi dhe ishte Donald Trump. Ai tha: ‘Përshëndetje, këtu Donald Trump’. Mendova se ishte shaka dhe e pyeta: ‘Si mund t’ju ndihmoj?’ Ndoshta i duheshin udhëzime nga dikush. Pastaj ai tha: ‘Do të doja shumë që të vije të qëndroje në një nga vendet e mia të bukura. Ndoshta mund të shkojmë për darkë.’ I thashë: ‘Epo, kjo është shumë e ëmbël. Faleminderit shumë. Do t’ju kthej përgjigje’”, ka treguar aktorja.
Thompson ka zbuluar se telefonata erdhi pikërisht ditën kur mori vendimin e divorcit dhe mendon se Trumpi mund të kishte një ekip që kërkonte gra të përshtatshme për ta shoqëruar.
“E kuptova që atë ditë më kishte ardhur dekreti i divorcit. Jam e bindur se ai ka njerëz që kërkojnë persona të përshtatshëm për të. E dini, një të divorcuar simpatike, këtë po kërkonte”, ka thënë ajo.
Duke bërë shaka, aktorja ka shtuar se ai e gjeti numrin e saj.
“Dua të them, kjo është ndjekje… Mund të kisha dalë në një takim me Donald Trumpin dhe atëherë do të kisha një histori për të treguar. Mund të kisha ndryshuar rrjedhën e historisë amerikane”, ka shtuar aktorja.
Gjatë bisedës në Festivalin e Filmit në Locarno, Thompson foli edhe për filmin e saj romantik-komedi të vitit 2003, “Love Actually”, duke pranuar se është e habitur nga popullariteti i vazhdueshëm i tij.
“Është me të vërtetë një burim i vazhdueshëm habie për mua që ky film ende vazhdon, jo se nuk më pëlqen, më pëlqen shumë, por është e çuditshme”, ka thënë ajo.
Duke iu referuar skenës prekëse ku personazhi i saj shpërthen në lot pasi kupton tradhtinë e bashkëshortit.
“Preku një nerv sepse kur na thyhet zemra, sidomos grave, duhet ta fshehim, sepse nuk duam që njerëzit ta shohin”, ka thënë Thompson.