Lifestyle

Përse njerëzve u pëlqen të bëjnë thashetheme?

Thashethemet

Thashethemet

Thashethemet, të gjithë i bëjnë, pavarësisht shprehjes së vjetër “nëse nuk ke asgjë të mirë për të thënë, mos thuaj asgjë fare”. Qoftë në vendin e punës, mes familjes apo në bisedat me miqtë, njerëzit flasin për të tjerët. Dhe kjo është krejt normale.

Një studim i vitit 1993 ka treguar se burrat kalonin rreth 55 për qind të kohës së bisedës në diskutime për çështje shoqërore, ndërsa gratë 67 për qind, pati raportuar TIME në një artikull të para disa vitesh.

Po çfarë janë në të vërtetë thashethemet?

Shumë mendojnë për thashethemet si të liga apo si përhapje zërash dhe skandalesh, por shkencëtarët i përkufizojnë ato më gjerë.

“Janë çdo lloj bisede për dikë që nuk është i pranishëm. Është sjellje natyrale për njerëzit, pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe ndërtimit të komunitetit”, ka thënë Megan Robbins, psikologe në Universitetin e Kalifornisë, Riverside.

Ndërsa, sipas David Ludden, profesor psikologjie në Georgia Gwinnett College, thashethemet nuk janë gjithmonë negative.

“Nuk janë gjithmonë negative, thashethemet mund të jenë neutrale apo edhe pozitive”, ka thënë ai.
Një analizë e vitit 2019 ka treguar se nga mesatarisht 52 minuta në ditë që njerëzit kalonin duke bërë thashetheme, 75 për qind ishin neutrale, 15 për qind ishin negative dhe 9 për qind ishin pozitive.
Pra, në shumicën e rasteve, thashethemet nuk janë dashakeqe.

Pse njerëzit bëjnë thashetheme?

Sipas studiuesit të njohur Robin Dunbar, thashethemet mund të kenë ndihmuar paraardhësit të mbijetojnë. Teksa majmunët pastronin njëri-tjetrin në mënyrë që të forconin lidhjet, njerëzit modernë përdorin fjalën si mjet shoqëror.

“Ne jemi shumë më shoqërorë se paraardhësit tanë. Thashethemet na ndihmojnë të marrim informacion për të tjerët, sepse rrjeti ynë shoqëror është tepër i madh për ta njohur nga afër secilin”, ka thënë Ludden.

Gjithashtu, thashethemet mund të mësojnë rregullat e sjelljes shoqërore.

“Nëse një person mashtron shpesh dhe flitet për të negativisht, ky mesazh u tregon të tjerëve që kjo sjellje nuk pranohet dhe ndihmon në ruajtjen e normave morale”, ka thënë Robbins.

Çfarë ndodh në tru kur bëjmë apo dëgjojmë thashetheme?

Një studim i vitit 2015 ka treguar se kur njerëzit dëgjonin thashetheme pozitive apo negative për veten, apo negative për të tjerët, aktivizohej pjesa e trurit që kontrollon sjelljen shoqërore, korteksi prefrontal.

Gjithashtu, një pjesë tjetër e trurit që lidhet me kënaqësinë, ndizet kur njerëzit dëgjojnë thashetheme negative për të famshëm. Kjo tregon se shumë njerëz argëtohen nga skandalet e të tjerëve, sidomos të personazheve publikë.

A mund të jenë thashethemet të mira për shëndetin emocional?

Po. Matthew Feinberg, profesor në Universitetin e Torontos, ka treguar në një studim të vitit 2012 se kur njerëzit dëgjonin për sjellje negative, shtoheshin të rrahurat e zemrës.

Por kur kishin mundësinë të shkarkonin frustrimin përmes thashethemeve, trupat e tyre qetësoheshin.
“Thashethemet ndihmojnë në uljen e stresit”, ka thënë Feinberg.

Gjithashtu, thashethemet mund të ndihmojnë në bashkëpunim shoqëror. Në një eksperiment, pjesëmarrësit që u përjashtuan për sjellje egoiste, e ndryshuan sjelljen e tyre në raundet e ardhshme për të fituar sërish besimin e grupit.

Thashethemet forcojnë lidhjet mes njerëzve

“Për të bërë thashetheme, duhet të ndihesh afër me dikë”, ka thënë Stacy Torres, sociologe që ka studiuar thashethemet mes të moshuarve.

Ajo ka zbuluar se thashethemet mund të ndihmojnë në largimin e vetmisë dhe të forcojnë ndjenjën e përkatësisë në një grup. Të ndash mendime për të tjerët është një mënyrë për të thënë “jemi në të njëjtën faqe”.

Thashethemet janë një pjesë natyrale e jetës shoqërore dhe, nëse bëhen me qëllime pozitive apo neutrale, mund të kenë përfitime për përhapje të informacioneve të vlefshme, ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve, qetësojnë emocionet negative dhe ruajnë rregullat morale në grup.
“Njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë se thashethemet mund të jenë të mira. Por kur ato nuk janë thjesht të liga apo të pavlera, mund të shërbejnë si mjet për të mësuar, ndarë dhe bashkuar”, ka thënë Robbins.