Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

“1 milion euro në bërllok”, mbledhësit e mbeturinave “shpëtojnë” biletën e lotarisë në Itali

Italia

Një biletë lotarie me vlerë 1 milion euro është nxjerrë nga mbeturinat në Itali, pasi fituesja e kishte hedhur pa e kuptuar se kishte fituar çmimin e madh.

Ngjarja ka ndodhur në rajonin e Pulias, në jug të Italisë. Sipas kompanisë së menaxhimit të mbeturinave SANB, punonjësit kanë kërkuar për më shumë se një ditë mes grumbujve të mbeturinave, derisa kanë arritur të gjejnë biletën fituese.

Administratori i kompanisë, Roberto Nicola Toscano, ka thënë se bileta ishte “mrekullisht ende e paprekur” kur u gjet.

Gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, kishte shkuar të dielën në një dyqan pranë shtëpisë së saj për ta kontrolluar biletën pas hedhjes së shortit. Pajisja e dyqanit tregoi se bileta ishte “e papagueshme”, pasi dyqanet e vogla mund të paguajnë vetëm fitime me vlerë të ulët.

Fituesja nuk e kuptoi se kishte fituar shumën e madhe.

Edhe Adhuruesi i artit fiton pikturën e Picassos me vlerë rreth 1 milion dollar Kuriozitet Adhuruesi i artit fiton pikturën e Picassos me vlerë rreth 1 milion dollar

“Fituesja luante gjithmonë të njëjtat numra, pasi ato ishin të lidhura me një person të dashur për të”, tregoi Toscano.

Pasi u kthye në shtëpi, një familjar i saj i tregoi se numrat që ajo luante rregullisht kishin dalë fitues. Të dy u kthyen menjëherë në dyqan, por zbuluan se bileta tashmë ishte hedhur në mbeturina dhe ishte marrë nga kamioni i grumbullimit.

Gruaja kontaktoi menjëherë Toscanon, i cili së bashku me ekipet e kompanisë nisi të rindërtonte itinerarin që kishte ndjekur bileta.

Ata arritën të identifikonin kamionin e duhur dhe e ndaluan. Për shkak të rrezikut nga materialet potencialisht të rrezikshme në mbeturina, kamioni u dërgua te një kompani e specializuar, ku nisi kërkimi.

Punonjësit kërkuan për më shumë se një ditë, duke gjetur bileta dhe copa të ndryshme biletash.

“Mes tyre ishte edhe pjesa e biletës që po kërkonim, e cila, në mënyrë të mrekullueshme, ishte ende e paprekur”, ka thënë Toscano.

Edhe Çifti sfidon gjasat një në 24 trilionë duke fituar lotarinë për herë të dytë Kuriozitet Çifti sfidon gjasat një në 24 trilionë duke fituar lotarinë për herë të dytë

Megjithatë, “shpëtimi” i biletës nuk ishte pa kosto. SANB është një agjenci publike dhe, në kushte normale, shpenzimet e kërkimit do të mbuloheshin nga taksapaguesit.

Për këtë arsye, fituesja u detyrua të nënshkruante një deklaratë për të mbuluar të gjitha kostot shtesë të shkaktuara nga kërkimi.