Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vidhen 30 mijë shishe verë në vlerë rreth 5 milionë euro në Itali

vere e kuqe

Foto: Ilustrim

Foto: Associated Press

Rreth 30 mijë shishe verë, me vlerë totale prej afro 5 milionë eurosh, janë vjedhur nga një kantinë prestigjioze italiane, raportojnë mediat italiane.

Kompania “Marchesi Antinori”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të verës në pronësi familjare në Itali, bëri të ditur se vjedhja ndodhi të shtunën në ambientet e saj të magazinimit në Toskanë, ndërsa kompania po përgatitej të dërgonte një ngarkesë me verë për klientët jashtë vendit, raporton BBC.

Sipas dyshimeve, të paktën shtatë persona të maskuar çaktivizuan alarmet, ndërprenë funksionimin e kamerave të sigurisë dhe përdorën pirunët ngritës të kompanisë për të ngarkuar dy kamionë të mëdhenj me verërat e saj më të çmuara: Tignanello, Solaia dhe Guado al Tasso, të gjitha verëra të kuqe nga Toskana.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Renzo Cotarella, i tha gazetës Corriere della Sera se kjo ishte vjedhja më e madhe e këtij lloji e regjistruar ndonjëherë në Itali.

“Një vjedhje e përmasave dhe e vlerës së tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Itali”, u shpreh ai.

Cotarella tha se shpreson që autoritetet të arrijnë të gjurmojnë verërat e vjedhura.

“Dy kamionë të mbushur nuk mund të zhduken thjesht pa lënë gjurmë. Rrugët e Toskanës janë të mbushura me kamera; ndoshta, me pak fat, do të arrijmë të rikuperojmë të paktën një pjesë të shisheve të vjedhura”, tha ai.

Në një prononcim për Financial Times, Cotarella shtoi se vlera e lartë e këtyre verërave e bën të vështirë shitjen e tyre pa rënë në sy.

“Këto verëra kanë vlerë të madhe dhe nuk e di se si mund t’i shesin në të gjithë botën pa u vënë re”, deklaroi ai.

Kompania beson se përzgjedhja e shisheve të vjedhura, të cilat zakonisht shiten nga 150 deri në 500 euro secila, tregon se autorët ishin njohës të verërave dhe kishin informacion paraprak për produktet dhe ambientet e magazinimit.

Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit mbërritën në vendin e punës. Deri më tani askush nuk është arrestuar për rastin.

“Marchesi Antinori” u themelua në vitin 1385 dhe eksporton verërat e saj në 170 shtete. Vitin e kaluar, kompania regjistroi të ardhura prej 263 milionë eurosh.

Gjatë këtij viti, në Itali janë raportuar disa raste të vjedhjes së verërave. Mes tyre janë edhe dy raste në rajonin verior të Piemontes, ku dyshohet se janë marrë shishe me vlerë prej qindra mijëra eurosh.