Për shkak të sfidave teknike dhe logjistike, punimet për vendosjen e filtrave të rinj në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B nuk do të përfundojmë më 25 nëntor. Këtë e kanë konfirmuar edhe burime të KOHËS brenda zyrës së BE-së. Investimi prej 110 milionë eurosh synon uljen e emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit.
Më pak pluhur dhe më pak gazra ndotës pritet të nxjerrin oxhaqet e Termocentralit Kosova B1, pas modernizimit të sistemit të filtrimit. Por, për këto ndryshime do të duhet të pritet më gjatë sesa ishte planifikuar.
Filtrat e rinj, që synohet të reduktojnë deri në 35 herë emetimin e pluhurit, nuk do të jenë gati brenda afatit kontraktual deri më 25 nëntor.
Burime të KOHËS brenda Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë kanë konfirmuar se punimet në njësinë B1 do të vazhdojnë edhe pas kësaj date.
“Projekti është përballur me vonesa të ndërlidhura me sfida teknike, logjistike dhe të zbatimit të projektit. Për këtë arsye, punimet që janë aktualisht në zhvillim do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të afatit kontraktual”, u tha nga burime.
Vlera e përgjithshme e investimit është 110 milionë euro. Mirëpo, nga zyra e Bashkimit Evropian kanë njoftuar së fundmi që BE ka ndarë edhe 5.6 milion euro shtesë.
Edhe
Kosova hyn në dimër pa njësinë B1. Njohësit e energjisë druajnë për reduktime
“BE-ja tashmë ka ndarë edhe 5.6 milionë euro shtesë për sigurimin e pajisjeve të specializuara dhe angazhimin e fuqisë punëtore shtesë, përmes organizimit të punës në ndërrime. Gjithashtu, ka forcuar mbikëqyrjen e zbatimit të kontratës dhe po bashkëpunon nga afër me autoritetet e Kosovës, KEK-un, kontraktorin dhe kompaninë mbikëqyrëse, për t'iu përgjigjur menjëherë sfidave që shfaqen gjatë realizimit të projektit”.
Pas përfundimit të modernizimit pritet të rritet edhe prodhimi i energjisë elektrike, duke zvogëluar varësinë e Kosovës nga importi.
“Me një rritje të pritur prej 10% në prodhimin e energjisë elektrike, projekti do të forcojë sigurinë energjetike të Kosovës, do të zvogëlojë varësinë nga importet dhe do të krijojë mundësi për të zgjeruar rrjetin e ngrohjes qendrore të Prishtinës”, u tha nga burime brenda Zyrës së BE-së.
Njohësi i mjedisit, Ilir Morina, vlerëson se instalimi i filtrave të rinj do të ketë ndikim pozitiv në uljen e ndotjes, por ka dilema për jetëgjatësinë e tyre.
“Filtrat normal kanë efekt pozitiv sepse nëse vendosen filtrat e teknologjisë së fundit atëherë ata e kanë të programuar që lejimi i partikulave ose oksideve në ajër të jetë në bazë të normave të direktivave evropiane dhe ligjeve të Kosovës mirëpo fatkeqësia është që makineria është shumë e vjetër e viteve të 80-ta e Kosovës B dhe gjithë ajo makineri jo efikase e joefeçiente që e djegë thëngjillin dhe i duhet mbi 1.7 ton thëngjill për megavat d.m.th. ata filtra janë të stërmunduar dhe mirëmbajtja e tyre varet se si do të shkojë”, tha Morina.
Edhe
Ejupi: Po shitet si sukses vendosja e filterave në termocentrale që janë paraparë të instalohen në 2021-ën
Morina konsideron se Kosova ka mbetur prapa në zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike.
“Shumë më mirë do të ishte nëse nuk u leju termocentrali i ri, të ndërtoheshin dy termocentrale të reja se janë hargju mbi 1 miliardë euro para që kemi ble energji nga vendet fqinje edhe armike, ato pare do të mjaftonin me për të ndërtuar dy termocentrale kështu që jemi shumë mbrapa, jemi shumë keq duke ecur, nuk po shoh një strategji afatmesme as afatshkurtër të qeverisë”, tha Morina.
Filtrat në Termocentralin Kosova B1 nuk janë zëvendësuar asnjëherë që nga funksionalizimi i tij, ndërsa në Termocentralin Kosova A ky proces është realizuar në vitin 2012.