Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Apeli vërteton dënimet: burgim i përjetshëm për Murselin e Plavën, 30 vjet për Kokallën

Murseli - Plava - Kokalla

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt. Po ashtu është vërtetuar edhe dënimi me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës. Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. 

Në vendimin e publikuar të hënën, është vërtetuar edhe dënimi me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, po ashtu i pandehur në këtë rast. 

“Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve N.M., G.P. dhe K.K., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.3/25, të datës 06.07.2026, ndërsa përkitazi me veprën penale moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre, nga neni 378 paragrafi 1, pika 1.1 të KPRK, për të akuzuarin K.K., për pjesën refuzuese sipas aktgjykimit të ankimuar, mbetet i paprekur”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i 6 korrikut 2026 i Themelores nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se vendimi është i qartë, i kuptueshëm dhe në përputhje me arsyetimin e dhënë nga shkalla e parë.

Vendimi është mirëpritur nga avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, derisa ka njoftuar se do të paraqesë ankesë në Supreme me kërkesën për ashpërsim të dënimit ndaj Kushtrim Kokallës. 

“Ka qenë ajo që kemi prit që të vërtetohet dënimi për Naim Murselin dhe Granit Plavën, edhe pse kemi kërkuar që të ashpërsohet vendimin në fakt komisioni penal për Kushtrim Kokallën, i cili nuk ndodhi, fillimisht mund të themi që jemi të kënaqur pjesërisht apo në një masë të konsiderueshme me vendimin e Gjykatës së Apelit, por që besoi që sa përket Kushtrim Kokallës kemi me paraqit edhe mjet të jashtëzakonshëm në Gjykatën Supreme”, ka thënë Syla. 

E avokati i Naim Murselit, Shemsedin Piraj, ka thënë se për ankesë në Supreme, që është shkalla e fundit, do të vendosin pas marrjes së vendimit të Apelit.

“Nuk kam kurrfarë vendimi, nuk e di, ta marr vendimin, ta këqyri, pastaj do të vendosim”, ka thënë Piraj.

Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka përmendur edhe disa rrethane rënduese, përfshirë faktin se Liridona Ademaj ishte në moshë të re dhe se vepra është kryer ndaj një viktime të pambrojtur. Po ashtu, si rrethanë rënduese është vlerësuar planifikimi i detajuar i vrasjes dhe sjellja e të akuzuarve pas kryerjes së saj, përfshirë vazhdimi i aktiviteteve të zakonshme dhe argëtuese, pa shfaqur dhimbje për viktimën.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankesë në Gjykatën Supreme deri në 30 ditë pas pranimit të tij.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë me bashkëshortin, tani të dënuarin Naim Murseli dhe dy fëmijët.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara martesore dhe dëshirës për hakmarrje.

Gjykata ka konstatuar se ai synonte edhe të përfitonte financiarisht nga një policë e sigurimit të jetës në emër të viktimës, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.

Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla e kanë planifikuar së bashku vrasjen, ndërsa Murseli i ka premtuar Plavës 30 mijë euro për ta kryer atë.

Kokalla kishte ndërmjetësuar njohjen mes Murselit dhe Plavës, i cili, sipas Prokurorisë, e ka kryer vrasjen.

Prokuroria pretendoi, gjithashtu, se Murseli e ka siguruar armën e përdorur në vrasje duke e blerë për 280 euro nga Tom Dodaj.

Dodaj, i cili ka pranuar fajësinë për shitjen e armës, ishte dënuar fillimisht me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Apelit ia uli dënimin në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Aktakuza është ngritur më 15 janar 2025.