Kërkesës për rritje të pensioneve i është bashkuar edhe deputetja e koalicionit qeverisës, Emilija Rexhepi. Ajo ka thënë se do të ushtrojë presion ndaj ekzekutivit për të përfshirë rritjen e pensioneve në buxhetin e vitit 2027. Javën e shkuar, Kuvendi miratoi në lexim të parë projektbuxhetin me 61 vota.
Presion ndaj Qeverisë për përfshirjen e rritjes së pensioneve në buxhetin për vitin e ardhshëm, ka paralajmëruar deputetja e koalicionit qeverisës, Emilija Rexhepi.
Ajo ka thënë se rritja e pensioneve nuk është vetëm çështje sociale, por edhe çështje drejtësie dhe përgjegjësie e shtetit ndaj njerëzve që kanë punuar dhe kanë kontribuar për dekada të tëra në zhvillimin e tij
“Si nënkryetare e Kuvendit dhe pjesë e koalicionit qeverisës, do të jem gjithmonë në anën e pensionistëve tanë. Do të vazhdoj të insistoj dhe të ushtroj presion të vazhdueshëm ndaj Qeverisë që çështja e rritjes së pensioneve të përfshihet ndër prioritetet buxhetore”, ka deklaruar Emilija Rexhepi, deputete e NDS-së.
Projektligji i propozuar nga Qeveria u votua në parim gjatë seancës të së enjtes, me 61 vota për. Tash do të shqyrtohet nga Komisionet parlamentare, ku do të mund të propozohen edhe amandamentime në buxhet.
Deputetja e partisë NDS thotë se përfshirja e rritjes së pensioneve në buxhetin e vitit të ardhshëm është e domosdoshme.
“Absolutisht konsideroj se rritja e pensioneve, veçanërisht e atyre që llogariten në bazë të viteve të përvojës së punës dhe kontributeve të paguara, është e domosdoshme. Qeveria ka për obligim që ta trajtojë me prioritet zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar, sepse pensionistët tanë meritojnë një jetë dinjitoze dhe kompensim të drejtë për dekadat e punës dhe kontributit të tyre në shoqëri”, është shprehur Rexhepi.
Edhe
Rritja e pensioneve në buxhetin e 2027-s kërkohet edhe brenda koalicionit qeverisës
Propozim për rritje të pensioneve ka paralajmëruar edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu.
Nga korriku 2027, qeveria ka njoftuar për rritje të pagave për punonjësit e sektorit publik e gjithashtu edhe pagën e 13-të për ta, mjete janë ndarë edhe për rritje të shtesave për fëmijë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin tetor, pensionin bazik të moshës prej 150 eurosh e marrin 174 mijë e 399 persona, ndërsa pensione kontributpaguese të moshës marrin 47 mijë e 654 përfitues (me vlera nga 218 deri në 318 euro, sipas kategorive) dhe pensione parciale kontributpaguese 11 mijë e 579 persona.