Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Projektligji i ri për kufizimin e mandatit të Speciales pritet të dorëzohet në Kuvend këtë javë

Specialja

Nisma e re ligjore për ndryshimin e Ligjit të Speciales pritet të dorëzohet këtë javë në Kuvend, ka konfirmuar kryetarja e këtij institucioni, Albulena Haxhiu. E derisa ai të shqyrtohet në komisionet përkatëse, Kryesia e legjislativit ka kërkuar informacione se si të procedohet me ligjin e kthyer për rishqyrtim në Kuvend, nga presidentja Justina Shiroka-Pula

Në pritje të nismës së re ligjore për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, të hënën janë kërkuar sqarime ligjore se si të veprohet draft-dokumentin e vjetër.

Kryetarja Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se nga Drejtoria Ligjore e Kuvendit, si Kryesi, kanë kërkuar sqarime se çfarë ndodh në rrethanat kur projektligji i kthyer nga presidentja nuk trajtohet në seancë brenda afatit të paraparë.

“Sipas informacioneve që unë i kam, një nismë e re lidhur me këtë do të procedohet brenda javës. Se çka përmban ajo natyrisht që do ta diskutojmë kur ajo të procedohet. Duhet të theksoj që në raport me këtë çështje nuk kemi pasur ndonjë problem përmbajtjesor, çështjet kanë qenë krejtësisht të natyrës procedurale”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka thënë se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit në nismën e re ligjore dhe se brenda javës do të procedohet në Kuvend.

“Do të jemi të hapur gjatë punës që do të bëhet në komisionet funksionale, të bashkëbisedojmë, të marrim këshillat, të marrim rekomandime dhe synimi ynë, ligjore është që shumë shpejt dhe në afatin shumë optimal ky ligj të kalojë në të dyja leximet”, ka thënë ajo.

Në pritje të ekspertëve janë edhe nga ekzekutivi. 

"Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim nga ekspertët që ta përmbyllin këto ditë", ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Kurse, shefi i deputetëve të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që nisma e re ligjore të procedohet sa më shpejt në Kuvend.

“Tani më ajo që e kuptova prej diskutimit është që grupi punues, i cili tani më është emëruar nga grupet parlamentare do të bëjë punën e vet dhe do të vijë bukur shpejt. Pra me thënë troq, ligji i cili ishte për votim, respektivisht dekreti i presidentes, nuk do të vijë në votim, do të vijë ligji i ri. Kur do të vjen? Kërkesa e Aleancë është një: bjereni sa më shpejt ligjin”, ka thënën Tahiri.

Rishqyrtimi i ndryshim-plotësimit të ligjit për Dhomat e Specializuara ishte planifikuar që të bëhet në seancat e dy javëve të fundit. Por, në seancën e kaluar, ky shqyrtim është shtyrë për një kohë të pacaktuar, derisa më pas është njoftuar për nismën e re ligjore.

Pas dënimit nga Specialja në Hagë të ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, PDK-ja mori iniciativë për t’ia kufizuar mandatin kësaj gjykate përmes ligjit.

Projekligji është votuar në Kuvend, e më pas është përcjellë për dekretim në Zyrën e Presidentes. Por në ditën e fundit të afatit për këtë, PDK-ja ka kërkuar që presidentja Justina Shiroka Pula ta kthejë në Kuvend.