Sqarim me shkrim, kërkimfalje zyrtare e përgjegjësi nga komisionerja e BE-së, Marta Kos, kanë kërkuar deputetët. Shqetësimet dhe kërkesat ia kanë përcjellë të hënën shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel. Por për to, ambasadori nuk e ka thënë asnjë fjalë në postimin e tij
Ligjvënësit kosovarë kanë kërkuar llogari nga Bashkimi Evropian për mungesën e zyrtarëve nga Kosova në Forumin e Zgjerimit dhe për transmetimin e melodisë së këngës nacionaliste gjatë punimeve të tij.
Deputetët, shqetësimet lidhur me këtë çështje ia kanë përcjellë shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, që të hënën ishte i ftuar në Komisionin për Punë të Jashtme.
Takimi me ambasadorin ishte i mbyllur për media, derisa për kërkesat që ia kanë adresuar, hollësi ka ndarë kryetarja e komisionit, Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo ka thënë se nga BE-ja presin sqarim me shkrim dhe kërkimfalje, derisa prej institucioneve përkatëse që të kërkojnë përgjegjësi nga komisionerja Marta Kos, si organizatore e ngjarjes ditë më parë.
“I kam adresuar tri kërkesa ndaj komisioneres Marta Kos për sqarime dhe për mënyrën se si është selektuar ajo këngë, por edhe për mospjesëmarrjen edhe përzgjedhjen e shteteve në Forumin e Zgjerimin. Ndërkohë kam kërkuar edhe nga kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme që të thërret në përgjegjësi komisioneren Kos dhe të kërkojë sqarime institucionale për mungesën e Kosovës dhe për këngën”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Lushaku ka theksuar se incidentet e tilla nuk duhet të përsëriten.
“Kjo duhet ta parandalojë çdo incident në të ardhmen, të sigurojë që Kosova të jetë në perspektivën evropiane me që çdo dokument strategjik të BE-së, Kosova ka të hapura dyert për t’u integruar, për këtë meritojmë sqarime zyrtare dhe tash e tutje duhet që sqarimet dhe raportet të jenë edhe me shkrim edhe Kosova të trajtohet dinjitetshëm brenda institucioneve të BE-së”, ka thënë ajo.
Por, kërkesat që iu adresuan nga anëtarët e komisionit për Punë të Jashtme nuk i ka përmendur ambasadori Schuebel.
Në një postim në rrjetin social “X”, lidhur me takimin, ai ka thënë se raporti i Komisionit Evropian për Kosovën dhe reformat e ndërlidhura me Planin Evropian, ishin temat kryesore që i ka diskutuar me deputetët.
Në ngjarjen që i ka paraprirë Forumit të mbajtur ditë më parë në Bruksel, është interpretuar melodia e një kënge nacionaliste serbe, ku bëhet fjalë për Kosovën.
Komisionerja Marta Kos dhe grupi që interpretoi melodinë kanë kërkuar falje. Kosova nuk ishte e ftuar në këtë ngjarje.