LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Aleanca me SHBA-në mbetet boshti i pathyeshëm

Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm, ka thënë presidentja Vjosa Osmani në njoftimin për takim me homologun e saj amerikan, Donald Trump. Ajo ka theksuar se takim i planifikuar si protokollar, u shndërrua në bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtjesore

Presidentja Vjosa Osmani është takuar të shtunën me presidentin amerikan, Donald Trump, në pritjen që ai ka organizuar për liderët e shteteve që kanë marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kosova nuk është anëtar i OKB-së, por presidentja Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndodhen në New York, me qëllimin për të realizuar takime me përfaqësues shtetesh pjesëmarrëse në forumin më të madh global politik.

Osmani ka shpërndarë fotografinë me Trumpin, ku shihen edhe bashkëshortët e të dyve. Ajo ka thënë se ka pasur “bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtjesore” me homologun amerikan.

“Një takim i planifikuar si protokollar me presidentin Trump u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtjesore. Faleminderit presidentit Trump për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Këtë muaj, Ambasada e SHBA-së në Kosovë njoftoi se ka pezulluar dialogun e planifikuar strategjik, me arsyetimin se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. Më pas, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha KOHËS se “vija e kuqe” u shkel, me përpjekjen për t’ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.

Por, Kurti ka thënë se Qeveria ka dallime me SHBA-në vetëm për çështje që lidhen me Serbinë dhe me veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ndërkaq, ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe të zhvillimit.

E, presidentja Osmani, pas takimit me presidentin Trump, ka folur për raporte të forta mes të dyja shteteve.

“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm”, ka shkruar Osmani. “Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-në, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”.

Gjatë vizitës në New York, presidentja ka mbajtur fjalim në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, ku ka folur për rrugëtimin e Kosovës nga mbijetesa në liri, për kontributin e ushtarëve amerikanë dhe për aleancën historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara. Gjatë fjalimit, Osmani tha se ishte SHBA-ja dhe NATO-ja, që Kosovën e çuan në liri dhe në shtet të sigurt.

Presidentja ka njoftuar se, gjatë vizitës në New York, ka marrë pjesë edhe në takimin e Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri të Komunitetit (GCERF). Në këtë takim, ajo tha se ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës për të luftuar terrorizmin dje ekstremizmin e dhunshëm.

“Nga ndërtimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, deri te përballja me radikalizimin online, Kosova është shndërruar në një model për rajonin – duke treguar se përmes bashkëpunimit, qëndrueshmërisë dhe vlerave të përbashkëta, edhe sfidat më të mëdha globale mund të tejkalohen”, ka thënë ajo.

E kryeministri në detyrë nuk ka njoftuar për ndonjë takim me zyrtarë amerikanë.

Të shtunën, ai ka vizituar Memorialin Kombëtar të 11 Shtatorit, që përkujton viktimat nga sulmi terrorist i 1999-s në kullat binjake në Manhattan.

“Vështirë është të kuptohet që një qytet me kaq ritëm të shpejtë dhe kaq i gjallë u godit nga një shkatërrim i tillë. Memoriali Kombëtar i 11 Shtatorit nderon trimërinë e njerëzve që i dolën në ndihmë e shpëtuan njëri-tjetrin, kujton humbjen e jashtëzakonshme – gati 3,000 viktimave dhe dhjetëra mijëra të tjerë që vazhdojnë të vuajnë nga pasojat e sulmit të asaj dite – dhe gjithashtu shërben çdo ditë si homazh i qëndrueshmërisë, përbashkimit dhe shpirtit të New Yorkut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.

E, takimet zyrtare të fundit që i ka zhvilluar, janë ato me kryeministrin e Belizesë dhe atë të Granadës. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takime është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe për mundësitë që shtetet ofrojnë për bashkëpunim.

E kryediplomatja në detyrë, Gërvalla, të shtunën, bëri të ditur për pjesëmarrje në takimin e rrjetit të Ministrave të Jashtëm Gra, në kuadër të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ajo më herët ka takuar disa homologë.

Kosova është njohur nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së, por vetë nuk është pjesë e saj. Anëtarësimi kushtëzohet nga vota në Këshill të Sigurimit, dy anëtarë të përhershëm të të cilit, Rusia dhe Kina, nuk e kanë njohur pavarësinë dhe mund ta përdorin të drejton e vetos për ta bllokuar procesin.