Arbëri

Akti i Trumpit e liston Dialogun strategjik pas përparimit në dialog

Presidentja Vjosa Osmani nga Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se në takim me zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, mes tjerash ka folur për veprimet që duhet ndërmarrë në funksion të rikthimit të Dialogut të planifikuar strategjik, i cili është pezulluar në shtator të këtij viti për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë. Por në Aktin e Mbrojtjes së SHBA-së të nënshkruar nga presidenti Donald Trump, vendosja e Dialogut strategjik listohet pas përparimit që Kosova duhet ta shënojë në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit

Veprimet që duhet t’i ndërmarrë Kosova në funksion të rikthimit të dialogut të planifikuar strategjik me Shtetet e Bashkuara, kanë qenë temë diskutimi në takimin që presidentja Vjosa Osmani ka pasur me zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau. 

Tek foli për aktin e nënshkruar së fundi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ku përfshihet edhe Kosova, Osmani përmendi kufizimet që ka vendosur SHBA-ja sa i përket ndryshimit të kufijve. 

“Sapo përfunduam një takim të shkëlqyeshëm me zëvendëskryetarin e shtetit, zotin Llandau. Është takimi ynë i dytë përgjatë këtij viti dhe jemi mirënjohës për kohën e ndarë për Republikën e Kosovës, në mënyrë që të diskutojmë një sërë çështjesh nga bashkëpunimi ynë i afërt në tema të paqes së sigurisë e deri te temat e bashkëpunimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik të vendit tonë”, ka deklaruar Osmani. 

“Ia shpreha falënderimet e popullit të Kosovës për ligjin që sapo ka nënshkruar presidenti Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës dhe jo vetëm, por në veçanti thuhet që nuk do të ketë ndryshim kufijsh, pra mbrohet integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit tonë, qartësohet se dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke, përkrahet anëtarësimi ynë në NATO, si dhe investimet strategjike në fushën e ekonomisë”. 

Sipas Osmanit, temë diskutimi ishte dialogu strategjik, të cilin e SHBA-ja e pezulloi këtë vit për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti. 

Në shtator Ambasada e SHBA-së në Kosovë njoftoi se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. 

“Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme që të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik dhe, në të njëjtën kohë, hapat përpara dhe veprimet që duhet t'i ndërmarrim në mënyrë që dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rikthehet. Natyrisht që ne kemi besim të plotë në administratën Trump dhe jemi ndër shtetet e para që kemi përkrahur një sërë veprimesh të ndërmarra nga presidenti Trump, kontributi i të cilit për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin tonë është i domosdoshëm dhe ka qenë i vazhdueshëm”, ka potencuar Osmani. 

Por në aktin e nënshkruar nga Trump shqyrtimi i vendosjes së Dialogut strategjik me Kosovën e Serbinë përmendet pasi të jetë përmbushur kushti që del nga dialogu i Brukselit. 

“Pasi të jetë arritur përparim i mjaftueshëm në Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë avancimin e iniciativave për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me të dyja vendet, çka mund të përfshijë— (A) vendosjen e dialogëve strategjikë dypalësh me Kosovën dhe Serbinë; dhe (B) avancimin e iniciativave konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve me të dyja vendet; dhe (4) Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke”, thuhet në dokument. 

Edhe pas caktimit të emisarit të ri nga ana e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, deri tash ka munguar përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe Aneksit për Zbatimin e saj, i nënshkruar në Ohër në mars 2023. 

Në vizitat e tij të para në Prishtinë dhe Beograd, Peter Sorensenit i ishin konfirmuar dallimet mes palëve mbi rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kosova vazhdon të kundërshtojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i propozuar nga BE-ja, duke kërkuar zbatim të tërësishëm të marrëveshjeve edhe me nënshkrimin e tyre, ndërsa Serbia e ka vendosur themelimin e Asociacionit si parakusht për normalizimin. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Kosovën e Serbinë edhe në rrugët përkatëse drejt integrimit në Bashkimin Evropian. 

Përfshirja e Kosovës në Aktin e Mbrojtjes së SHBA-së, si dhe riafirmimi i njohjes reciproke si bazë për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë e kundërshtimi i ndarjeve territoriale mbi baza etnike u interpretuan si një sinjal pozitiv për vijimësinë e mbështetjes amerikane. 

Por eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë të hënën për KOHËN se kjo gjuhë duhet lexuar me shumë kujdes. Sipas tij, përfshirja e këtyre formulimeve nuk është domosdoshmërisht shprehje e një konsensusi të fortë politik në SHBA, por më tepër një reagim ndaj përpjekjeve intensive të lobistëve që synojnë ndryshimin e politikës tradicionale amerikane ndaj Kosovës. 
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Serwer ka vlerësuar se Kosova duhet të vazhdojë ta ketë si objektiv kryesor njohjen reciproke, por ka shprehur skepticizëm se ky ligj e bën këtë qëllim më të arritshëm sesa më parë. 

Edhe në lidhje me perspektivën euroatlantike, Serwer është shprehur i rezervuar. Ai ka vënë në dukje se administrata Trump ka treguar qëndrim “armiqësor” ndaj Bashkimit Evropian dhe nuk ka qenë përkrahëse e zgjerimit të NATO-s, çka e bën të paqartë, sipas tij, mbështetjen reale për anëtarësimin e Kosovës në këto struktura.