Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërcënuar me reagim në rast se ndërmerren veprime për ta hapur urën qendrore të Ibrit pa marrëveshje paraprake me Serbinë.
E ka bërë këtë ditën kur ky mision që mban trupa mbi urë është njoftuar nga autoritetet e Kosovës se asaj do t’i testohet qëndrueshmëria.
Testimet, sipas zyrtarëve qeveritarë, do të bëhen përpara se ura të hapet për qarkullim të automjeteve.
KFOR-i nuk ka treguar për qëndrimin mbi testimin, por ka paralajmëruar veprimet që mund t’i ndërmarrë.
“Ne nuk do të hezitojmë të përballemi me asnjë zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin tonë që buron nga OKB-ja. Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konstant gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha KFOR-i.
Kosova dhe Serbia kanë dy marrëveshje për hapjen e Urës së Ibrit. Bazuar në to, BE-ja ka finalizuar edhe projektin se si duhet funksionuar trafiku. Por, dokumenti nuk është zbatuar prej shumë vjetësh.
Gjatë të martës në veri ka qëndruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Pas inspektimit që ia bëri urës, Sveçla insistoi se ajo duhet hapur për qarkullim të automjeteve, por nuk tregoi se kur mund të ndërmerren veprime për këtë.
“Ura do të hapet, nuk ka asnjë arsye të mos hapet, se kur do të hapet, kjo është çështje që vlerësohet nga ekspertët”.
Ura mbi lumin që ndan etnikisht Mitrovicën është e mbyllur për qarkullim të automjeteve që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Për kohë të gjatë janë mbajtur barrikada dhe në pika statike afër saj kanë qëndruar pjesëtarë të armatosur të organizatës që njihej si “Rojat e Urës”.
Pengesat janë larguar më 2016, pas negociatave të ndërmjetësuara nga BE-ja. Megjithëkëtë, Komuna e Mitrovicës Veriore, e drejtuar nga Lista Serbe, pati vendosur një mur afër urës për ta pamundësuar qasjen me automjete.