Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali George Wikoff ka thënë se vendimet lidhur me praninë e trupave të KFOR-it në urën mbi Ibër bazohen në vlerësimet e situatës së sigurisë të bërë nga NATO.
Por, Wikoff ka thënë se vendimi nëse ura duhet të hapet për qarkullim të veturave apo jo mbetet te Bashkimi Evropian dhe te institucionet përkatëse të Kosovës.
“Vendimet sa i përket prezencës së KFOR-it në Urën e Mitrovicës janë të bazuara në vlerësimin tonë të situatës së sigurisë. KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo u takon BE-së dhe institucioneve përkatëse të Kosovës për të përcaktuar pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e saj të përhershme në urë”, tha Wikoff.
Ai ka thënë se personi i KFOR-it do të mbetet prezent në zonat përreth.
Në një komunikatë për media KFOR-i ka thënë se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij. Ka treguar se është duke kaluar në një proces të optimizimit. Por, tha se procesi mund të përmbyset nëse ndryshon situata.
Edhe
Haxhiu takon admiralin Wikoff: Anëtarësimi në NATO, synimi strategjik i Kosovës
"KFOR-i aktualisht është duke kaluar nëpër një proces të optimizimit të dislokimit të tij, siç u njoftua më 12 qershor 2026. Kjo bëhet për të siguruar që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Procesi i optimizimit po zhvillohet në mënyrë transparente, të qëndrueshme, të kalibruar dhe graduale. Optimizimi po koordinohet ngushtë me institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare, siç është BE-ja, si dhe me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. KFOR-i po angazhon rregullisht të gjithë akterët në këtë proces, përfshirë bashkëpunëtorët vendorë, si dhe Forcat e Armatosura të Serbisë. Procesi mund të përmbyset, nëse kjo kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal", thuhet në njoftimin e KFOR-it.
E komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, tha se KFOR-i mbetet i përkushtuar për sigurinë e njerëzve që jetojnë në Kosovë.
“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë është i palëkundur, siç dëshmohet nga prania e vazhdueshme dhe e dukshme e personelit tonë në terren, përfshirë përmes patrullimeve të rregullta, pikave të vëzhgimit dhe angazhimeve me komunitetet lokale”, tha komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash. “Si gjithmonë, aktivitetet tona të përditshme do të zhvillohen duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve”.
KFOR-i ka njoftuar se prania do të rritet në disa zona, por pa u kufizuar në Mitrovicë të Veriut apo veri të Kosovës.
“KFOR-i do të vazhdojë të vlerësojë rregullisht situatën në terren dhe të mbajë një dislokim të përshtatur për të kontribuar në sigurinë afatgjatë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Në këtë drejtim, kalimi gradual nga prania e përhershme e KFOR-it në Urën mbi Ibër është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë”, thuhet në njoftim.
KFOR-i më 10 gusht ka njoftuar për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga Ura e Ibrit, e po ashtu ka nisur ta integrojë gradualisht Policinë e Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të dielën ka thënë se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.
Ai shtoi se pas ndërtimit të urave të reja, është e pakuptimtë që Ura e Ibrit të vazhdojë të mbahet e mbyllur.
Edhe
Maqedonci takon Wikoffin e Ulutashin, flasin për sigurinë dhe kapacitetet e FSK-së
"Pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as tensioneve, tregon se qarkullimi i njerëzve dhe mallrave është e dobishme jo vetëm për ekonominë por edhe paqen dhe sigurinë", theksoi Kurti.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka shkruar letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me këtë çështje.