Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla: Rreth 20 mijë raste të dhunës të raportuar për 7 vjet, 33 gra të vrara

Donika Gërvalla

Foto: Driton Paçarada

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë se nga viti 2019 deri në vitin 2026, janë raportuar rreth 20 mijë raste të dhunës në familje, ndërsa janë vrarë 33 gra.

Duke folur në kuadër të “16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ajo ka thënë se dhuna është një fenomen që kapërcen kufijtë, shoqëritë dhe dallimet kulturore. Sipas saj, luftimi i saj kërkon jo vetëm angazhim institucional, por edhe një qëndrim të palëkundur shoqëror.

“Dhuna është cenim i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor dhe nuk kufizohet vetëm në sulmin fizik. Dhuna përfshin edhe kërcënimin, kontrollin, poshtërimin dhe frikësimin. Një gjë ta dini, kushdo që ushtron dhunë mbi tjetrin nuk është i fortë, por i lig, shumë i ligë madje. Çdo ditë, gra, burra, të moshuar dhe fëmijë përballen me fenomenin e quajtur dhunë. Nga viti 2019 deri në tetor të vitit 2026, në Kosovë janë regjistruar 19 mijë e 916 raste të dhunës në familje. Në këtë periudhë janë vrarë 33 gra”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka bërë thirrje për raportim të dhunës në familje, duke deklaruar se nuk duhet heshtur për këtë fenomen, por duhet të raportohet e trajtohet me seriozitet që të marrë përgjigje institucionale.

“Mos jetoni nën kërcënimin e dhunës. Mos heshtni, mos e arsyetoni dhe mos e toleroni atë. Raportimi i dhunës është përgjegjësi dhe akt solidariteti me secilin që ka nevojë për mbrojtje. Secili rast duhet të dëgjohet e raportohet, të trajtohet me seriozitet dhe të marrë përgjigjen e duhur e të menjëhershme institucionale. Kundër dhunës nuk mjafton të ngremë zërin për 16 ditë. 16 ditët e kësaj fushate janë një thirrje për ndërgjegjësim, por lufta kundër dhunës nuk ka kalendar. Ajo duhet të jetë pjesë e angazhimit tonë çdo ditë, pa përjashtim”, ka thënë ajo.