Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rritet dhuna ndaj grave në Gjermani, qeveria planifikon ashpërsimin e ligjit për femicidin

Dhuna ndaj grave

Foto ilustrim

Gjermania po përballet me një rritje shqetësuese të dhunës ndaj grave dhe vajzave, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë ndryshime në legjislacion për të ashpërsuar trajtimin ligjor të femicidit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA), gjatë vitit 2025, numri i viktimave të dhunës në familje arriti nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Në total, 292 persona humbën jetën si pasojë e dhunës në familje, prej tyre 209 gra. Në 130 raste, gratë u vranë nga partnerët ose ish-partnerët e tyre, raportoi “Euronews”.

Ndërkohë, sipas të dhënave të organizatës Keine*Mehr, të paktën 125 gra janë vrarë në Gjermani gjatë vitit 2026, ndërsa 126 të tjera i kanë mbijetuar tentativave për femicid gjatë vitit 2025.

Përballë kësaj situate, ministrja federale e Drejtësisë, Stefanie Hubig, po kërkon ndryshimin e dispozitave të Kodit Penal që lidhen me vrasjen, në mënyrë që motivet specifike gjinore dhe ato çnjerëzore të përfshihen shprehimisht në përcaktimin e vrasjes si vepër penale e rëndë.

Sipas projektligjit, vrasja e një gruaje për shkak se dëshiron të ndahet nga partneri, të marrë vendime të pavarura për jetën e saj apo të refuzojë kontrollin e tij, duhet të trajtohet si vrasje e rëndë dhe jo thjesht si vrasje me dashje.

Deri më tani, disa raste të tilla janë klasifikuar nga gjykatat si vrasje pa rrethana cilësuese të vrasjes së rëndë, çka mund të ndikojë edhe në dënimin e autorëve. 

Ministrja Hubig thotë që motivet e bazuara në mentalitetin patriarkal, ndjenjën e pronësisë dhe dëshirën për të kontrolluar jetën e grave, të merren parasysh në mënyrë të qartë në legjislacion.

“Pothuajse çdo ditë në Gjermani një burrë vret partneren ose ish-partneren e tij, ose tenton ta bëjë këtë”, ka deklaruar Hubig, duke theksuar se gratë duhet të jenë të sigurta nga dhuna, pavarësisht vendimeve që marrin për jetën e tyre.

Rritja e dhunës nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet familjare. Raporti i BKA-së tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 54.675 gra dhe vajza si viktima të veprave penale seksuale, një rritje prej 2,3 për qind krahasuar me vitin paraprak. Pothuajse gjysma e viktimave ishin të mitura në kohën kur ndodhi vepra.