Në raportimin e bordit të ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion nga kryesuesi i Komisionit, Arben Mustafa u diskutua për humbjet e lejuara të energjisë në katër komunat veriore.
“Sa janë humbjet e lejuara në veri, sepse ka një dallim në pjesën tjetër të Kosovës. Për katër komunat veriore paraqitet një përqindje më e lartë e humbjeve të lejuara sesa për komunat e tjera dhe pse është kjo? Dhe tjetra është, sa janë investimet e lejuara kapitale në veri? Cilat i keni aprovuar, sa është vlera e tyre dhe në përqindje?”, pyeti Mustafa.
Sipas kryesuesit të bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, për katër komunat veriore janë lejuar humbje prej 21.5 për qind, por ndikimi i tyre në përqindjen e përgjithshme të Kosovës është rreth 0.9 pikë përqindjeje.
“Është me rëndësi të potencohet që humbjet e lejuara, në bazë të raportit, të të ardhurave të lejuara apo të ardhurave maksimale të lejuara të FSHU-së, janë në nivelin 13.3 për qind. Mirëpo, për shkak se merret parasysh edhe pjesa e veriut të Kosovës, atëherë të ardhurat e lejuara janë në nivelin 14.28 për qind…Por 21.5 për qind është në raport me energjinë në atë pjesë. Nëse e shohim në total, i bie diku afër 0.9 për qind. Domethënë, prej 13.3 për qind që janë të lejuara, për shkak se përfshihet edhe veriu, shkon diku afër 14.3 për qind, që i bie diku mes 0.9 dhe 1 për qind”, tha ai.
Pastaj Mustafa kërkoi të dijë nëse ekzistojnë matje të sakta për humbjet e energjisë në katër komunat veriore.
Gojani u përgjigj se ekzistojnë të dhëna për energjinë e pranuar dhe atë të faturuar, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2025 në katër komunat veriore janë konsumuar rreth 275 gigavat-orë (GWh) energji elektrike, ndërsa janë faturuar vetëm 169 GWh.
“Ka matje në kuptim të energjisë e cila pranohet dhe të energjisë që faturohet. Ne e cekëm edhe në përmbledhje që diku nga 275 GWh që janë konsumuar në vitin 2025, janë faturuar 169 GWh, që i bie diku rreth 39 për qind e energjisë e cila nuk është faturuar dhe e cila është humbje. Por aty përfshihen edhe humbjet teknike, edhe humbjet komerciale”, deklaroi Gojani, raportoi EO.