Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jessica Alba detyrohet t’ia paguajë ish-bashkëshortit mbi 577 mijë dollarë pas divorcit

Jessica Alba dhe Cash Warren

Jessica Alba dhe Cash Warren

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur Jessica Alba është urdhëruar nga gjykata t’i paguajë ish-bashkëshortit të saj, Cash Warren, shumën prej 577.481 dollarësh, si pjesë e marrëveshjes financiare të divorcit të tyre.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, pagesa vjen nga fondi i aktores, përmes kompanisë së saj “HonorBar Inc”. Shuma përfundimtare do të pësojë ndryshime në varësi të fitimeve ose humbjeve nga investimet deri në momentin e transferimit të parave.

Pas kësaj pagese, Alba nuk do të ketë më detyrime të tjera financiare ndaj ish-bashkëshortit në lidhje me përfitimet nga kompania e saj.

Ky vendim vjen disa muaj pasi çifti finalizoi divorcin, në muajin shkurt, kur Warren përfitoi gjithashtu 3 milionë dollarë për të barazuar ndarjen e pasurisë së përbashkët. Pagesa u nda në dy këste prej 1.5 milionë dollarësh.

Sipas raportimeve, çifti nuk kishte nënshkruar marrëveshje paramartesore, pavarësisht vlerës së konsiderueshme të bizneseve të tyre. Kompania e Albas, “The Honest Company”, ishte vlerësuar në 623 milionë dollarë, ndërsa brendi i veshjeve të brendshme dhe çorapeve i Warrenit, “Pair of Thieves”, në të paktën 100 milionë dollarë.

Alba dhe Warren kanë qenë të martuar për 16 vjet dhe janë prindër të tre fëmijëve: Honor, 18 vjeçe, Haven, 15 vjeçe dhe Hayes, 8 vjeç. Ata kanë rënë dakord të ndajnë kujdestarinë ligjore dhe fizike të fëmijëve.

Çifti u nda në muajin dhjetor të vitit 2024, ndërsa në muajin janar 2025 aktorja konfirmoi publikisht fundin e martesës përmes një postimi në Instagram.

“Jam krenare për mënyrën se si jemi rritur gjatë viteve të martesës sonë, por tani ka ardhur koha që secili prej nesh të nisë një kapitull të ri, duke u zhvilluar si individ”, ka shkruar ajo.

Aktorja ka shtuar se do të vazhdonin përpara me dashuri, mirësi dhe respekt për njëri-tjetrin, duke theksuar se fëmijët do të mbeteshin gjithmonë përparësia e tyre kryesore.

Një muaj më vonë, Alba paraqiti kërkesën për divorc, duke përmendur si arsye “mospajtime të pakapërcyeshme”.

Ndërkohë, aktorja ka nisur një lidhje të re me aktorin Danny Ramirez, me të cilin është përfolur që nga korriku i vitit 2025. Në një reagim për lidhjen e re të ish-bashkëshortes, Warren u shpreh shkurt: “Jam i lumtur për të”.

Megjithatë, marrëdhënia mes Albas dhe Warrenit duket se nuk është aq e afërt. Në maj të këtij viti, ata u panë në ceremoninë e diplomimit të vajzës së tyre, Honor, në Los Angeles, ku qëndruan larg njëri-tjetrit, në skaje të kundërta të të njëjtit rresht.

Pavarësisht ndarjes, të dy vazhdojnë të ndajnë përgjegjësitë prindërore për tre fëmijët e tyre.