Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Presidenti i Letonisë: Rusia mund të pësojë disfatë në Ukrainë vitin e ardhshëm

rusi

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të arrijë një pikë kthese vitin e ardhshëm, e cila mund të çojë në humbjen e Moskës, ka deklaruar presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, në një intervistë për Reuters. Ai ka përmendur përkeqësimin e ekonomisë ruse dhe rritjen e presionit ndërkombëtar.

Rinkevics, i cili ndodhet në New York për të kryesuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjatë presidencës së radhës së Letonisë, tha se nuk beson që Moska është vërtet e interesuar për përfundimin e luftës. Sipas tij, Rusia ka të ngjarë t'i shohë negociatat e reja për armëpushim si një “mashtrim” për të vazhduar pushtimin e saj në shkallë të plotë.

“Numri i vendeve që po ushtrojnë presion po rritet, kështu që pika e kthesës mund të vijë në pranverë ose verë të vitit të ardhshëm”, tha ai, duke vënë në dukje se lufta po zgjerohet përtej rajonit të drejtpërdrejtë.

Ai shprehu gjithashtu shqetësim për atë që e quajti rritje të “aktiviteteve hibride” kundër vendeve evropiane, të cilat dyshohet se lidhen me Moskën. Këto përfshijnë shkeljet e hapësirës ajrore, sulmet kibernetike dhe sabotazhet.

Rusia deri më tani është treguar e kujdesshme që të mos kalojë vijën e kuqe që do të shkaktonte aktivizimin e Nenit 5 të NATO-s, i cili do t'i detyronte vendet anëtare të vinin në ndihmë të njëra-tjetrës. Megjithatë, sipas Rinkevics, Moska po bëhet gjithnjë e më e guximshme.

“Nga ajo që po shohim tani, Rusia është shumë, shumë e kujdesshme që të mos e kalojë këtë prag. Në të njëjtën kohë, ekziston një prirje tjetër: gatishmëria e Rusisë për të marrë rreziqe po rritet”, tha ai.

Rinkevics theksoi se numri i aktiviteteve sabotuese, tentativave për zjarrvënie dhe sulmeve ndaj subjekteve që mbështesin Ukrainën është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2022, kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë.