Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni nis mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Dhunën në Familje dhe Dhunën ndaj Grave

KOMISION

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione ka nisur përgatitjet për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore.

Ekspertja e propozuar nga Instituti Nacional Demokratik (NDI), Luljeta Plakolli-Kasumi, ka prezantuar para deputetëve draft-planin e punës, sipas të cilit procesi i monitorimit pritet të përfundojë deri në fund të shkurtit të vitit 2027.

Në planin e punës parashihet që institucionet relevante të kontaktohen përmes kërkesave me shkrim, në mënyrë që të mblidhen dhe analizohen informatat për zbatimin e obligimeve që dalin nga ligji.

“Kemi një plan të punës i cili është ndarë në 3-4 faza. Dhe pritet që i tërë procesi të përfundojë deri në fund të shkurtit të vitit 2027. Ky dokument përpara sot është konkretizim i fazës së parë të planit të punës, sepse në këtë fazë ne synojmë që t’i kontaktojmë institucionet relevante edhe të kërkojmë informacione me shkrim, të cilat pastaj do t’i analizojmë për me hapë rrugën për fazën e dytë që do të fillojë në muajin janar të vitit të ardhshëm, ku do të kemi pastaj takime edhe do të kemi mundësi pastaj që të kërkojmë më shumë informacione mbi bazën e atyre të cilat i kanë dërguar. Në dokumentin para jush, është pak voluminoz, por pjesa e parë është matrica e obligimeve sipas ligjit”, tha ajo.

Plakolli-Kasumi bëri të ditur se në planin e punës janë identifikuar obligimet e institucioneve sipas ligjit, aktet nënligjore që duhet të miratohen dhe përgjegjësitë përkatëse.

Ajo tha se do të përgatiten tabela me pyetje të përgjithshme dhe specifike për secilin institucion, me qëllim të verifikimit të zbatimit të obligimeve ligjore.

“Pra, sipas planit të punës që është prezantuar, këtu jam mundu me i nxjerrë obligimet për institucionet përkatëse sipas ligjit të cilin që është objekt i vlerësimit. Që pastaj, domethënë, na ndihmon për me ju kthyer kohë pas kohe edhe me pa se cili institucion për çka duhet të përgjigjet. Pjesa tjetër, këtu kam identifikuar aktet nënligjore, cili institucion ka qenë përgjegjës, për cilin akt nënligjor, në mënyrë që me i ngritë edhe çështjet që duhen për verifikim kur t’i kontaktojmë institucionet aty ku ka pasë informata vetëm se e kam shënuar statusi nëse është miratuar ose jo. Mirëpo ka edhe shumë të tjera aty ku nuk ka asgjë, domethënë, ende nuk ka ndonjë akt nënligjor, ka raste kur ekziston drafti, ka raste kur është hartuar, për shembull, procedura standarde të veprimit nga Agjencia për Barazi Gjinore, presim miratimin nga Ministria e Drejtësisë. Gjitha këto pastaj do t’i verifikojmë edhe vetë. Kam përgatitë disa tabela. Është një tabelë e përbashkët me pyetje konkrete që do ju shkojë të gjitha institucioneve”, tha ajo.

Ajo shtoi se institucionet do të pyeten edhe për aktet e brendshme, buxhetin e planifikuar, numrin e stafit që merret me rastet e dhunës, të dhënat statistikore, raportet dhe pengesat kryesore në zbatimin e ligjit.

“Pra, është tabela A, këtu, domethënë, kjo tabelë do të dërgohet bashkë me tabelën specifike pastaj të secilit institucion. Domethënë, janë informata të përgjithshme që na interesojnë sa i përket akteve të brendshme, buxhetit të planifikuar, numri i stafit që merret me rastet e dhunës, të dhëna statistikore që mban institucioni përkatës, raportet, pengesat, nga çdo institucion kërkojmë që t’i identifikojmë së paku tre pengesa kryesore në zbatimin e ligjit, sepse na intereson perspektiva e secilit institucion. Dhe pastaj tabelat B janë tabela të cilat ju dedikohen institucioneve përkatëse. Pra, është B në Ministria e Drejtësisë, ku hyn koordinatorja kombëtare e zyra e koordinatorit të shërbimit sprovues, shërbimi korrektues”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, tha se synimi i monitorimit nuk është vetëm kërkimi i përgjegjësisë nga institucionet, por edhe identifikimi i pengesave dhe kapaciteteve që ato kanë për zbatimin e ligjit.

Ajo theksoi se procesi do të përfshijë nivelin lokal dhe institucionet qendrore, ndërsa në përfundim pritet të hartohen rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse./EO